Shqipëria

Sejko: Çmimet do të vijojnë të rriten deri në mesin e vitit të ardhshëm


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar të mërkurën e 3 nëntorit se çmimet do të vazhdojnë të rriten derisa të stabilizohen në gjysmën e dytë të vitit 2022.

Shqiptarët do të vazhdojnë të paguajnë çmime më të larta për energjinë, benzinën dhe ushqimin të paktën deri në mesin e vitit të ardhshëm, me mundësi që pasojat të zgjasin më shumë.

Kjo është prognoza e Bankës së Shqipërisë, e cila pret që politika monetare dhe normat bazë e interesit të mbeten të qëndrueshme në nivelin 0.5 për qind.

“Çmimet e karburanteve, energjisë dhe mallrave ushqimore pritet të stabilizohen dhe më pas të bien në vitin 2022, duke lehtësuar presionin mbi shpenzimet e prodhimit të vendit”, ravijëzoi Sejko.

Sipas BSH-së, rimëkëmbja ekonomike nuk po ndikon ndjeshëm në uljen e shkallës së papunësisë, e cila është ende shumë mbi nivelet para-pandemike.

Banka Qendrore deklaron se inflacioni u rrit në tre muajt e fundit, por jo në nivele alarmante, dhe tani qëndron mesatarisht në 2.4 për qind.

Inflacioni

“Inflacioni në muajin shtator ishte 2.6%”, sipas raportit të publikuar nga INSTAT për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), bazuar në metodologjinë ndërkombëtare të llogaritjes së këtij treguesi.

Krahasuar me një vit më parë, po për të njëjtën periudhë, ky tregues ishte 2.3%.

IHÇK mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve, të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë.

Rritja e çmimeve në muajin shtator, sipas matjeve të Eurostat-it, ishte më e lartë sesa ajo që u raportua nga INSTAT pak ditë më parë.

Ndikimin më të madh në rritjen e inflacionit e ka dhënë grupi i ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike, të cilat u shtrenjtuan me 4.7%, ndjekur nga grupi i komunikimit me një rritje prej 2.9%. Më pas vjen sektori i transportit me 2.4%, si pasojë dhe e rritjes së karburantit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore