Lajme

Seanca “për Kosovën”: Vuçiç u thotë deputetëve “pyesni çfarë të doni, do t’iu përgjigjem”


Aleksander Vucic

Në Kosovë vazhdohet me mos-dhënien e sqarimeve nga kryeministri, Albin Kurti, se çfarë i është thënë në takim me diplomatët perëndimorë dhe cilat ishin qëndrimet e tij në raport me kërkesat e tyre.

Qeveria u mjaftua vetëm me një komunikatë për media e përbërë prej disa rreshtash.

Në anën tjetër, në Serbi do të fillojë edhe një seancë “për Kosovën”, pas konferencës për media që pati presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ku tha se Serbia e ka të vështirë ta refuzojë propozimin, sepse në takim i janë bërë të ditura sanksionet e shumta me të cilat do të ballafaqohej.

Njoftimin për seancë parlamentare e ka dhënë Vuçiç në profilin e tij zyrtar në Facebook.

“Shteti i Serbisë dhe interesat e tij duhet të jenë gjithmonë para interesave partiake dhe individuale”, tha fillimisht ai, duke iu drejtuar liderëve të partive opozitare politike të cilat i ftoi në takim të mbyllur por nuk i shkuan.

“Para dy ditësh kam thënë të vërtetën për gjithçka që po përballemi sa i përket Kosovës. Nuk kam fshehur asgjë. U ofrova një bisedë të gjithë aktorëve politikë, për t’i njohur me presionet dhe gjithçka që po përballet Serbia. Ata thanë se nuk donin të flisnin, një numër i madh prej tyre e thanë këtë. Ata duan një demonstrim publik dhe performancë për veprimin e tyre politik”.

“Gjithsesi, është detyra ime të respektoj parlamentin dhe të plotësoj të gjitha kërkesat e tij. Do të dal në Kuvend dhe do t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve”, tha Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore