Kosova

Seanca ndaj Krivaqës dhe Sejdiut mbyllet për publikun


Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Në seancë të mbyllur për publikun është duke dëshmuar Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët janë të dënuar nga shkalla e parë për vrasjen e Marigona Osmanit.

Sipas gjyqtarit, Xhevdet Abazi, për shkak të veprës penale “Dhunim”, kjo seancë duhet të mbyllet për publikun, ndërsa mediat janë lejuar vetëm të marrin pamje.

Më 4 gusht të 2023-ës, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit.

Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim.

Kurse, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.

Foto nga seanca ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut.

Rasti i Margiona Osmanit

Marigona Osmani u vra kur ishte vetëm 18 vjeçe. Gati dy vjet pas vrasjes së saj, për këtë vepër u dënuan Dardan Krivaqa me burgim të përjetshëm dhe Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim.

Ata janë akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Ai akuzohet se, edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale, si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është duke lëvizur aty pari.

Po ashtu që të dy akuzoheshin, se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.

Familja e të ndjerës Marigona Osmani, përmes avokatit Gazmend Rexhepi kanë kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Kurse, i akuzuari për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça ka shprehur “keqardhje për atë që ka ndodhur”.

Në seancën e 24 janarit, gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi kishte aprovuar propozimin e avokatit mbrojtjës, Admir Salihu që të të bëhej një ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës.

Në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka pranuar gjykata në fjalë, është konstatuar se i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares, nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

Më 2 shtator të 2022, gjyqtari i çështjes kishte marrë aktvendim në bazë të së cilit i kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

Më 26 tetor të 2022, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët akuzoheshin për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Kurse më 6 shtator, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

Të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore