Lajme

Seanca e parë e Apelit në rastin e Gucatit dhe Haradinajt caktohet për 5 korrik


Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, me të dënuar me nga 4 vite e gjysmë heqje lirie nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, patën apeluar vendimin në fjalë.

Ndërsa Gjykata Speciale, seancën e parë për shqyrtimin e apelit të tyre e ka caktuar më 5 korrik me fillim nga ora 14:00.

Kjo seancë do të jetë si lloj konference statutore.

Ata janë urdhëruar që deri më 27 qershor të dërgojnë me email çështjet që dëshirojnë të ngritin në këtë seancë.

Ndryshe, Gucati dhe Haradinaj më 18 maj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore