Lajme

Seanca e Këshillit të Sigurimit – Joseph: Populizmi i Kurtit dëmtoi interesat kombëtare të Kosovës


Edward Joseph

Edward Joseph, ligjërues universitar dhe njohës i rrethanave politike në rajon, komentoi seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që pritet të fillojë në orën 21:00, ku do të diskutohet për ndalimin e dinarit serb në territorin kosovar, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëmtoi interesat kombëtare të Kosovës.

“Kjo seancë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të shënojë një pikë kthese në politikën e Prishtinës. Kurti dhe bashkëpunëtorët e ngushtë partiakë duhet të kuptojnë dëmin e vetëshkaktuar ndaj interesave kombëtare të Kosovës nga populizmi i pandërprerë. Tani është koha për të ndryshuar kursin”, shkroi eksperti amerikan në platformën “X” të enjten.

Në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) këtë të enjte do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ndër çështjet kryesore që do të trajtohen pritet të jenë tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb në territorin kosovar.

Joseph e cilësoi “autogol” vendimin e fundit të autoriteteve kosovare për ndalimin e dinarit, megjithëse shtoi se kryeministri Kurti mund ta përmirësojë gabimin nëse arrinë të ekspozojë absurditetin e presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke ngritur nivelin e komunikimit ndërmjet autoriteteve qendrore kosovare dhe komunitetit serb të Kosovës.

“Mënyra për t’u rikuperuar nga një autogol është shënimi i një goli në rrjetën e tjetrit. Kurti mund të ekspozojë sharadën e Vuçiçit nëpërmjet vendosjes së kontakteve të reja me serbët e Kosovës, përfshirë kufizimin e presionit të sigurisë, zbatimit të vendimin për Manastirin e Deçanit dhe angazhimit serioz me ambasadën amerikane për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”.

Ambasadori i Serbisë në OKB dorëzoi të hënën një kërkesë për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për “krizën e dinarit” dhe “situatën e përgjithshme” në Kosovë që, sipas pretendimeve të Serbisë, është në “kontrast të madh” me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit së cilës i referohet Serbia në diskutimet për Kosovën.

Megjithatë, ekperti i njohur amerikan nënvizoi se Rusia dhe Kina – kundërshtarë të ashpër të pavarësisë së Kosovës dhe mbështetës të palëkundur të Serbisë – do të ndihmojnë “cirkun krejtësisht të panevojshëm” që pritet të ngjajë të enjten në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një çështje sikurse ndalimi i dinarit serb në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore