“S’dua ta besoj dhe s’e besoj se Kurti pati skenar anti-shqiptar me vizitën në Maqedoninë e Veriut” – Intervistë e Arben Taravarit për Albanian Post

Dini Fetahu
21.08.2023 12:16
Loading Icons...

Vizita e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut, ku vizitoi vetëm partitë opozitare shqiptare dhe jo partitë e mëdha shqiptare që janë në pushtet është konsideruar edhe si “gabim historik” edhe si “skandal diplomatik”, por Arben Taravari, udhëheqës i Aleancës për Shqiptarët, partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoninë Veriore, thotë se është herët të bisedohet për motivet dhe efektin e shkaktuar nga kjo vizitë.

Në një intervistë për Albanian Post, kryetari aktual i Gostivarit dhe udhëheqësi i partisë që aktualisht si e vetme ka tetë deputetë e bashkë me Alternativën 12, deklaron se “historia nuk shkruhet kurrë kaq herët” dhe se “duhet patjetër faktori kohë”, porse “nuk dua të besoj dhe as nuk e besoj që Kurti ka pasur në plan ndonjë skenar anti-qeveritar, apo anti-shqiptar”.

“Të flasësh për të (vizitën e Kurtit) duhet patjetër faktori kohë. Gjithsesi besoj se nuk duhet dramatizuar dhe duhet kuptuar që në shumë raste euforitë njerëzore dalin jashtë parashikimeve protokollare. Ka disa raste kur emocioni zotëron arsyen, sigurisht është një rast nga ku duhen nxjerrë leksione, por nuk mendoj se ka ndonjë bazë racionale kjo punë”, tha Taravari.

Ai refuzon të vazhdojë tutje bisedën për vizitën, sepse do që të tregohet i kujdesshëm për shkak të kontekstit aktual.

“Nuk mendoj se duhet të zgjatet me komente në këtë kontekst, pasi është një situatë delikate e cila mund të shkaktojë tensione fare të panevojshme”, deklaron për Albanian Post.

Arben Taravari

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë në vitin 2024. Kjo do të shënojë edhe herën e parë pas shumë vitesh që atje qeveria përfundon një mandat të plotë.

Turbulencat politike gjithmonë kanë shkaktuar rënie të qeverisë para mandatit.

Fakti se tani gati 50 për qind e kabinetit qeveritar përbëhet nga shqiptarët, për Taravarin është shënjues që tregon rëndësinë e prezencës shqiptare në stabilitetin qeveritar dhe politik në Maqedoninë e Veriut.

Aleanca për Shqiptarët, bashkë me Alternativën ka 12 deputetë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka 15 deputetë dhe Partia Demokratike Shqiptare ka një deputetë.

Të gjithë bashkë përbëjnë 28 deputetë në parlamentin prej 120 ulësesh të Maqedonisë së Veriut.

Ky është numër i madh, por Taravari në zgjedhjet e ardhshme pret që të kalohet shifra 30.

A do të shkohet në një koalicion të përbashkët parazgjedhor BDI-Aleanca-PDSh pohon se është akoma herët të flitet, porse do shënojnë numrin më të madh të deputetëve, për këtë s’ka dyshim.

“Dhe pritshmëria ime nuk është e një tifozi”, thotë.

“Në bazë të situatës në terren, në bazë të të gjithë zhvillimeve të deritanishme jam i sigurt se do të kemi rezultate spektakolare në zgjedhjet e ardhshme. Votuesi shqiptar nga një votues emocional, tashmë është kthyer në një votues inteligjent e pragmatik, dhe do të dijë të forcojë sa më shumë prezencën e tij në parlament”.

Albin Kurti gjate vizites ne Tetove

Vizita e Kurtit në Maqedoni duke takuar opozitën shqiptare dhe jo partitë tjera, i ka shkuar në favor partisë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE, e cila është e interesuar ta përçajë votën shqiptare dhe kështu nëse i fiton zgjedhjet ta marrë në koalicion një parti të vogël shqiptare dhe të parëndësishme, duke e de-faktorizuar faktorin shqiptar.

VMRO-DPMNE është kundër ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, që shkon në kundërshtim me interesat shqiptare, sepse shqiptarëve atje u konvenon shumë integrimi euro-atlantik, e ai kalon përmes këtyre ndryshimeve.

Por, pikërisht se është kjo situatë delikate, Taravari thotë se më e udhës është që për  momentin mos të diskutohet shumë efekti i vizitës së kryeministrit të Kosovës atje.

Intervista e Plotë e Arben Tarvarit me Albanian Post:

Albanian Post: Ka filluar seanca parlamentare për ndryshimet Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. Për një publik që s’është shumë i informuar me situatën, çka janë këto ndryshime, a duhet te bëhen dhe pse?

Arben Taravari: Maqedonia e Veriut është në një pritje anksioze për të qenë pjesë e Evropës ekonomike. Duke marrë parasysh edhe zhvillimet më të vona në Ballkan, influencuar dhe nga tensioni që ka ngjallur lufta në Ukrainë, hyrja në BE është kthyer në një domosdoshmëri.

Por për të qenë pjesë e kësaj ombrelle të rëndësishme duhet që të kryhen disa hapa dhe bëhen disa vendimmarrje që sigurojnë harmoni midis shteteve anëtare.

Propozimi francez që u miratua nga Parlamenti i Maqedonisë në korrik te vitit 2022, duket se është formula e suksesshme që garanton kushte të pranueshme për të gjitha palët. Në vazhdimësi të kësaj platforme pritet që parlamenti të miratojë ndryshimet kushtetuese që garantojnë pjesëmarrjen e popullit bullgar që jeton në Maqedoninë e Veriut në preambulën e Kushtetutës. Dhe jo vetëm kaq, insistimi i Aleancës për shqiptarët është edhe tërheqja e definimit të gjuhës shqipe si gjuhë e 20%-shit të popullatës që jeton në Maqedoni, që është skajshmërisht ofenduese dhe diskrediruese për shqiptarët e këtushëm, d.m.th insistimi i ynë është që gjuhë zyrtare në Maqedoni të jenë gjuha shqipe dhe gjuha maqedonase.

Albanian Post: Zgjedhjet parlamentare janë vitin e ardhshëm, flitet se mund të shkoni në zgjedhje si një listë e përbashkët me BDI-në dhe PDSh-në, sa gjasë ka të ndodhë kjo?

Arben Taravari: Në vendin tonë dhe kryesisht në çdo vend të varfër, politika ka dinamika të forta dhe dramatike. Është e vështirë të thuhet tani se çfarë do të ndodhë në Zgjedhjet Parlamentare, por një gjë është e sigurt, se partia jonë do të veprojë gjithnjë në të mirë të vendit dhe zhvillimit të tij. Realisht është koha që Aleanca për shqiptarët si parti të bëjë një aleancë të fuqishme me qytetarët, intelektualët dhe shoqërinë civile dhe ti masë forcat dhe kapacitet e veta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që me shumë gjasa duhet të mbahen në mars ose prill 2024.

Albanian Post: Si e vlerësoni këtë mandat qeverisës, pas shumë vitesh Maqedonia e Veriut po arrin të përfundojë një mandat të plote pa u rrezuar qeveria, është kjo edhe meritë e fuqisë që shqiptarët kanë pasur në këtë qeveri?

Arben Taravari: Një nga treguesit e mosfunksionimit të një shteti është pikërisht ndërrimi i shpeshtë i Qeverisë. Me sa mbaj mend në Italinë e viteve ’70 merrej kjo punë si argument për dominancën e bandave dhe krimit, pas dështimit të partive qeveritare. Si duket për fat të mirë vendi ynë po fiton një lloj qëndrueshmërie që i ka munguar gjatë. Pa asnjë mëdyshje shqiptarët kanë rolin e tyre në forcimin dhe sigurinë e qeverisjes, dhe ndoshta do kuptuar njëherë e mirë se Shqiptarët janë shtetformues në këtë vend, roli i tyre është protagonist në rrugën dhe stabilitetin e këtij shteti.

Albanian Post: Në Kosovë është bërë debat i madh për vizitën e Albin Kurtit, ai vendosi të vizitojë parti opozitare shqiptare, rritja e të cilave në fakt më shumë se kujtdo tjetër i konvenon VMRO-së që e do votën shqiptare të shpërndarë, rrjedhimisht defaktorizimin e faktorit shqiptar dhe kështu vendosjen më të lehtë të kontrollit. Pse mendoni se Kurti bëri këtë hap?

Arben Taravari: Nuk dua të besoj dhe as nuk e besoj që kryeministri i Kosovës z.Kurti, ka pasur në plan ndonjë skenar anti-qeveritar dhe sidomos anti-shqiptar. Nuk mendoj se duhet të mos zgjatet me komente në këtë kontekst, pasi është një situatë delikate e cila mund të shkaktojë tensione fare të panevojshme.

Albanian Post: Por, a do ta konsideronit gabim historik llojin e vizitës qe pati Kurti në Tetovë?

Arben Taravari: Historia nuk shkruhet kurrë kaq herët. Të flasësh për të duhet patjetër faktori kohë. Gjithsesi besoj se nuk duhet dramatizuar dhe duhet kuptuar që në shumë raste euforitë njerëzore dalin jashtë parashikimeve protokollare. Ka disa raste kur emocioni zotëron arsyen, sigurisht është një rast nga ku duhen nxjerrë leksione, por nuk mendoj se ka ndonjë bazë racionale kjo punë.

Albanian Post: Cili është raporti në përgjithësi me Qeverinë e Kosovës dhe me atë të Shqipërisë? A janë ndihmuese për shqiptarët në Maqedoni?

Arben Taravari: Raporti është ashtu si gjithmonë duhet të jetë dhe do të jetë i shkëlqyer. Mos prisni nga unë përgjigje tjetër kur bëhet fjalë për dy shtete kaq të afërta dhe natyralisht të ngjashme. Nga e kaluara jonë ne kemi kuptuar se ku kemi çaluar. Kjo na ka bërë që të rregullojmë dhe të çojmë më përpara raportin tonë i cili padyshim është ai i tre vendeve që ja duan të mirën pa kushte njëri-tjetrit.

Albanian Post: Për fund, a prisni që në zgjedhjet e ardhme parlamentare të ketë më shumë se 30 deputetë shqiptarë në parlament?

Arben Taravari: Po dhe pritshmëria ime nuk është e një tifozi. Në bazë të situatës në terren, në bazë të të gjithë zhvillimeve të deritanishme jam i sigurt se do të kemi rezultate spektakolare në zgjedhjet e ardhshme. Votuesi shqiptar nga një votues emocional, tashmë është kthyer në një votues inteligjent e pragmatik, dhe do të dijë të forcojë sa më shumë prezencën e tij në parlament. Para disa ditësh 30 shkencëtarë botërorë konkluduan që populli shqiptar i tanishëm ka të regjistruar një vjetërsi 6 mijë vjeçare. Në ADN-në tonë jeton civilizimi dhe ndërtimi i Evropës. Kjo është koha e shqiptarëve, dhe nëse është koha e shqiptarëve domethënë se është koha e të Gjithëve, është Koha e Evropës.

Të fundit

Aktuale