Lajme

S’dorëzohet Petkoviç, pritet ta vizitoj Kosovën


Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, pritet të vije në Kosovë për një vizitë dyditore.

Sipas njoftimit nga stafi i Petkoviç-it, ai me 26 dhe 27 tetor pritet të marrë pjesë në festën “Lavdia e Shën Vasilit” në fshatin Kufcë e Epërme.

Kurse, në komunën e Leposaviç-it pritet të marrë pjesë në kremtimin e festës “Shën Petka” në Qendrën e Kulturës “Sava Deçanac”.

Nuk dihet ende nëse Petkoviç ka marrë leje nga institucionet e Kosovës për këtë vizitë.

Ndryshe, Petkoviç me 12 tetor njoftoi se ka provuar të futet në Kosovë, dhe ka aplikuar për leje ashtu siç është procedura, por i është ndaluar kalimi i kufirit në pikën kufitare mes Kosovës e Serbisë.

Ai kishte shprehur interesimin për të marrë pjesë në fronëzimin e Patriarkut serb, Profirije në Patriarkanën e Pejës.

“Kjo është shkelje brutale e marrëveshjes, si ajo për lirinë e lëvizjes dhe Marrëveshja për vizitat zyrtare, e cila parasheh një procedurë të thjeshtuar për vizitën e Petkoviç. Ai në mënyrën e duhur, duke respektuar absolutisht të gjitha marrëveshjet e arritura, ka paralajmëruar vizitën dhe praninë e tij në  Kosovë”, thuhej në reagimin e kësaj zyre.

Madje, edhe Miroslav Lajçak, në një letër drejtuar Zyrës për Çështje Koordinuese në Procesin Negociator (KORD), theksoi se vizita e fundit e Petkoviç në Kosovë, me rastin e kurorëzimit të Patriarkut Porfiri, është dashur të lejohet.

Vetë Petkoviç sa herë vjen në Kosovë mban fjalime në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës duke mohuar ekzistencën e shtetit kosovar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore