Lajme

Scholz dënon sulmet ndaj politikanëve pas sulmit të tretë brenda një jave


Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka dënuar ashpër sulmet ndaj politikanëve pasi një senatore dhe ish-kryetare e bashkisë së Berlinit u godit në kokë në një bibliotekë publike në sulmin e tretë ndaj një zyrtari të zgjedhur në më pak se një javë.

Franziska Giffey, një anëtare e Partisë Social Demokrate (SPD) të qendrës së majtë të Scholz-it u plagos lehtë dhe u shtrua në spital për pak kohë pasi një burrë e goditi atë nga pas me një çantë që përmbante një objekt të fortë të paidentifikuar.

Policia sakaq ka arrestuar një të dyshuar 74-vjeçar.

“Sulmet ndaj Franziska Giffey dhe politikanëve të tjerë janë të egra dhe frikacakë”, tha Scholz.

“Dhuna nuk i përket një debati demokratik. Njerëz të denjë dhe të arsyeshëm po qëndrojnë qartë kundër tij – dhe ata janë shumica”.

Qeveria gjermane dënoi një “numër në rritje të sulmeve të neveritshme”, duke shtuar se një “klimë frikësimi, dhune” nuk mund të pranohej.

Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se autorët duhet të sillen para drejtësisë.

“Ne duhet të mbrojmë nga sulmet të gjithë ata që mbrojnë shoqërinë tonë demokratike, pavarësisht se cilës parti i përkasin”, tha Von der Leyen.

“Nëse ata nuk janë më të sigurt, as demokracia jonë nuk është më e sigurt”.

Sulmi ndaj Giffey erdhi pasi ministrat e shtetit u mblodhën në një takim urgjent dhe bënë thirrje për mbrojtje më të madhe policore të politikanëve.

Numri i sulmeve verbale dhe fizike është rritur këtë vit me zgjedhjet evropiane dhe lokale që do të mbahen.

Sulmuesi i dyshuar i Giffey, i cili ishte i njohur për policinë për krime të urrejtjes, besohej se kishte probleme me shëndetin mendor, ka thënë policia.

Giffey tha se ajo ishte “e shqetësuar dhe e tronditur” nga një kulturë në të cilën politikanët janë “gjithnjë e më shumë të ekspozuar ndaj sulmeve që supozohet se janë të justifikuara dhe të pranueshme”.

“Ne jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik, në të cilin secili mund të jetë i lirë të shprehë mendimet e tij ose të saj. Por ka një vijë të qartë – dhe kjo është dhuna ndaj njerëzve”.

Më herët, dy persona u arrestuan në Dresden pasi një anëtar 47-vjeçar i partisë së Gjelbër u shty dhe u pështyu teksa kishte vendosur postera të fushatës.

Dyshja ishte parë më herët në një grup njerëzish që bënin përshëndetje naziste, tha policia.

Javën e kaluar, një eurodeputeti nga SDP, Matthias Ecke, kishte nevojë për një operacion për lëndime të rënda të marra kur katër persona e sulmuan atë ndërsa ai po vendoste postera zgjedhor të BE-së në të njëjtin qytet lindor, një pikë e nxehtë e fundit për sulmet ndaj politikanëve.

Katër të dyshuar të moshës nga 17 deri në 18 vjeç – të gjithë, sipas mediave gjermane, besohet se kanë lidhje me një grup të ekstremit të djathtë të njohur si “Elblandrevolte” – po hetohen nga policia për sulmin.

Sipas shifrave të përkohshme të policisë, 2 mijë e 790 krime u kryen kundër politikanëve në Gjermani në vitin 2023, nga 1 mijë e 806 një vit më parë.

Por më pak nga 2 mijë e 840 të regjistruara në vitin 2021, kur u mbajtën zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Gjermani.

Politikanët kryesorë kanë fajësuar dhunën në rritje politike në ringjalljen e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë.

Qeveria ndërkohë ka thënë se do të shqyrtojë shtrëngimin e ligjeve për sulmet politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore