Shqipëria

Schengeni rajonal nuk është Jugosllavia e re plus Shqipërinë


“Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina nuk duhet të kenë frikë nga Schengeni rajonal”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbetet i qartë dhe i palëkundur në kërkesën e tij mbi dy vendet ballkanike: “Bashkojuni nismës”.

I ftuar në simpoziumin e 23-të “Symi”, me organizator ish-Kryeministrin e Greqisë, George Papandreou, Rama foli mbi bashkëpunimin rajonal, si kyç për zhvillimin e gjithë gadishullit.

Sipas Ramës, frika nuk duhet të ekzistojë në këtë hapësirë. Kjo, pasi ndryshe nga Bashkimi Evropian, Shcengen-i rajonal, nuk do të ketë veto apo obligime të vendimeve të unifikuara.

“E kam biseduar shpesh me Zoran Zaev-in dhe Alexander Vuçiç-in. Shpresojmë që Schengen-i rajonal të mos kthehet në një BE”.

Kryeministri kujton këtu rastin e Bullgarisë, mbi veton që i vendosi Maqedonisë së Veriut për mos hapjen e negociatave. Prej kësaj të fundit, u penalizua edhe Shqipëria.

Por, vendimet në konceptin rajonal, nuk duhet të jenë unanime.

Kështu, ai kërkon të heqë edhe frikën se një koncepti të rikrijimit të Jugosllavisë, duke shtuar në ekuacion Shqipërinë.

“Nëse Kosova nuk ka dëshirë të bëjë marrëveshje me Serbinë, le të mos e bëjë. Nëse ka dëshirë të bëjë marrëveshje me ne, le ta bëjë. Nuk ka pse të ketë privime”.

Ne, Ballkani dhe nacionalizmat e BE-së

Një vendim i tillë do të ishte i përshtatshëm për gjithë rajonin sipas Ramës. Kjo, sepse do ta bënte Ballkanin më atraktiv.

“Jemi të vegjël dhe duhet të kuptojmë se kështu nuk jemi atraktivë. Ndaj, duhet të funksionojmë në bashkërendim”.

Jetësimi i katër lirive themelore të BE-së brenda këtij Schengeni, është thelbësor sipas tij.

Ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou, ka pasur gjithashtu një koment mbi çështjen.

Bllokadën e BE-së ndaj Ballkanit, Rama e cilësoi si “pre e nacionalizmave”.

Papandreou, nga ana tjetër, mendon se zgjidhja e problemit është përqafimi i Ballkanit.

“Ballkani nuk duhet perceptuar si problem, por si zgjidhje e problemit nëse mirëpritet brenda kufijve të BE-së”, theksoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore