Kosova

Schallenberg: Siguria e Evropës në një moment kritik – shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE


Alexander Schallenberg

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, garantoi mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) gjatë një vizite në Bosnje-Hercegovinë të hënën, derisa shtoi se siguria dhe stabiliteti në Evropë, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë, arrihen nëse gjashtë vendet e rajonit integrohen në bllok.

“Ne jemi në një fazë kur lufta është kthyer sërish në Evropë. Ky është një moment kritik për sigurinë gjeopolitike. Ne jemi këtu për të thënë se duhet të krijojmë një koncept të ri të stabilitetit dhe sigurisë. E vetmja mënyrë për ta arritur këtë është që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE”, tha kryediplomati austriak në një konferencë për media pas takimeve.

Se vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë mbështetje të fortë ndërsa ecin në rrugën drejt anëtarësimit në BE, posaçërisht pas realiteteve të reja gjeopolitike, pohoi edhe kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, duke veçuar rrezikun që paraqet Rusia për stabilitetin e kombeve ballkanike, derisa shtoi se BE-ja s’mund ta përballojë ripërtëritjen e tensioneve.

“Kjo është një domosdoshmëri gjeopolitike, veçanërisht përballë imperializmit brutal të Rusisë. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mbështetur gjashtë shtetet e rajonit në rrugën e tyre për t’iu bashkuar BE-së”, nënvizoi ndër të tjera shefja e diplomacisë gjermane, duke shtuar se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e pandashme e kontinentit evropian.

Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi. Megjithatë, sfidat politike dhe ekonomike me të cilat përballen gjashtë vendet e rajonit, ngadalësuan procesin e anëtarësimit në bllok. Kosova ende nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore