Sport

Schalke kërkon transferimin e Rexhbeçajt


Futbollisti nga Kosova, Elvis Rexhbeçaj, është duke u kërkuar nga disa klube gjermane.

E fundit që ka hyrë në garë për transferimin e tij, është skuadra Schalke 04, të cilët këtë vit ia dolën të ngjiten në Bundesliga.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Gjermani, drejtuesit e Schakle-s kanë kërkuar më shumë informacione rreth Elvisit nga skuadra e tij, Wolfsburg.

Rexhbeçaj ka kontratë me Wolfsburg-un deri në verën e vitit 2023 dhe për ta liruar atë, thuhet se “ujqërit” kërkojnë të paktën 4 milionë euro, çmim ky që për Schalke-n po konsiderohet i lartë.

Mediat gjermane shkruajnë se drejtuesit e Schalke-s kanë kërkuar huazimin një-vjeçar për futbollistin kosovar.

Kujtojmë që Rexhbeçaj para pak ditësh u rikthye te Wolfsburg-u, pasi qëndroi një vit në huazim te klubi tjetër gjerman, Bochum.

Në fakt, për mesfushorin nga Kosova është huazimi i dytë radhazi, pasi më parë ishte i huazuar te Kolni.

Me skuadrën e Bochum-it në sezonin e kaluar, 24-vjeçari ka zhvilluar 32 ndeshje në Bundesliga dhe katër të tjera në Kupën e Gjermanisë ku bëri dy asistime dhe nuk arriti të shënoj asnjë gol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore