Lajme

SBASHK-u, Nagavcit: Ke tendenca të përçarjes


Rrahman Jasharaj dhe Arbërie Nagavci.

Përmes një urimi për fillimin e ri të vitit shkollor 2023/24 për nxënësit dhe mësimdhënësit, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës i ka reaguar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, lidhur me deklaratat e fundit ku kishte pyetur se kënd e përfaqëson kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

SBASHK-u, përmes një komunikate për media ka thënë se nuk do të “shuhen”, por do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre me “unitet të plotë”.

“Anëtare e anëtarë të SBASHK-ut Ministrja Nagavci, në vend që të kërkojë falje nga prindërit, nxënësit e mësimdhënësit për problemin që ka krijuar lidhur me tekstet shkollore, ajo kishte bërë pyetje se kë përfaqëson Jasharaj”.

“Ajo, si duket, ka besuar se do të jep rezultate plani i saj dhe i ministrit Murati se duke krijuar pengesa, që nuk ndodhin në as një vend demokratik të botës, punëtorët e arsimit nuk do të regjistrohen si sindikalistë në e-Kosova dhe kështu do të shuhet SBASHK-u”.

“Por, Nagavcit nuk ia paskan treguar lajmin se SBASHK-u nuk u shua, por vazhdon rrugëtimin me unitet të plotë e me shumë angazhime në shërbim të arsimit dhe do ta ngrit zërin në emër të anëtarësisë”, është thënë nga SBASHK-u.

Sindikata sërish ka theksuar se MASHT-i ka bërë vendim të gabuar për tekstet shkollore.

“Anëtare e anëtarë të SBASHK-ut Ministrja Nagavci, në vend që të kërkojë falje nga prindërit, nxënësit e mësimdhënësit për problemin që ka krijuar lidhur me tekstet shkollore, ajo kishte bërë pyetje se kë përfaqëson Jasharaj”, thuhet në reagim.

Teksa nga Nagavci, kanë kërkuar që të mos mundohet të krijoj përçarje.

“Zonja Nagavci me tendencën për të krijuar përçarje deklarohet se ky vendimi i ri për tekstet shkollore qenka edhe në shërbim të mësimdhënësve. Ajo, mbase ka menduar se kështu i kursen nga lodhja e ndarjes se teksteve shkollore për nxënësit e tyre, por ata nuk e duan këtë kujdes sepse me kënaqësi e të lumtur e kanë kryer këtë veprim duke i parë të gëzuar nxënësit për tekstet e reja shkollore”.

Sipas tyre, kujdesi i ministres për punëtorët e arsimit tashmë është i ditur.

“Sa është kujdesur e kujdeset Nagavci për punëtorët e arsimit u pa kur i gëzohej angazhimit të Qeverisë për ndëshkim me ndalim pagash pse punëtorët e arsimit kishin qëndruar arsyeshëm në grevë dhe kur u bënte presion edhe me inspektorë që të mbajnë mësim për të kompensuar orët e humbura në grevë”.

“Ministre mos u mundoni kot se sindikatën tonë u munduat ta shuani, por SBASHK ishte dhe mbetet sindikatë e punëtorëve të arsimit që nga çerdhet e deri në universitete dhe do të vazhdojë të jetë zë i tyre sepse ata janë bashkë e në SBASHK”.

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka thënë të hënën se për subvencionimin e teksteve shkollore në platformën e-Kosova janë pranuar mbi 51 mijë aplikime.

Aplikimi për librat po bëhet përmes platformës e-Kosova, mirëpo në ditën kur u lansua kjo platformë, për disa orë ishte e bllokuar, me të njejtën ka pasur probleme vazhdimisht.

Ministrja Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Numri i nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën në Kosovë pritet të jetë rreth 213 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore