SBASHK-u kërkon që pagat të ekzekutohen urgjentisht për sektorin publik

SBASHK: Ministri Murati të gjejë mundësi ligjore dhe të ekzekutohen pagat që sot
SHFLETO
Sahide Brati
01.10.2024 11:19
Loading Icons...

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka kërkuar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve,  Hekuran Murati, që të ndjehet përgjegjës për mosekzekutimin me kohë të pagave ndaj 85 mijë zyrtarëve në sektorin publik dhe të shtojë angazhimet e të gjejë mundësi ligjore që ekzekutimi i pagave të bëhet të martën, sepse në të kundërtën ata kanë thënë se mund të nisin me veprime sindikale.

Duke shprehur shqetësimin për mosekzekutimin me kohë të pagave për muajin shtator, ata kanë theksuar efektet që mund t’i krijojë kjo çështje.

“Kujtojmë ministrin Murati se mosekzekutimi me kohë i pagave për muajin shtator shkakton efekte negative financiare te punëtorët e arsimit dhe jo vetëm nga fakti se shumica e tyre jetojnë me atë pagë dhe mezi e lidhin fillimin e muajit me fundin e tij”, thuhet në reagimin e tyre në platformën sociale Facebook.

“Aq më keq”, theksojnë ata se shumë prej punonjësve edhe janë në kredi dhe kjo vonesë u krijon probleme shtesë “ngase këstet e kredive janë të ndërlidhura me data dhe me daljen e pagave dhe kështu të punësuarit pa fajin e tyre mund të ndëshkohen me kamata shtesë për kreditë e tyre”.

Që nga e hëna zyrtarët publikë kanë mbetur pa paga, kjo për shkak të skadimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit.

Ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale do të duhej të bëhej më 30 shtator.

Pa nënshkrimin e ushturesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.

Ministria e Punëve, Financave dhe Transfereve, s’ka dalur akoma me një sqarim lidhur me këtë çështje e as Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.