Lajme

Sarrazin: Pranimi i planit franko-gjerman ofron shumë mundësi për Kosovën dhe Serbinë


Manuel Sarrazin

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka deklaruar se me planin franko-gjerman e sheh një shans për Kosovën dhe Serbinë.

Ai gjatë një interviste për Deutsche Welle, thekson se ky plan mund të zgjidh një numër të problemeve mes të dyjave vendeve.

“Propozimi evropian që bazohet në iniciativën gjermane dhe franceze është në gjendje të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve mes dy vendeve. Ai do të hapë rrugën për integrimin rajonal në BE”, deklaron Sarrazin.

Sipas tij, aktualisht është mundësia që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe të pranojnë propozimet e paraqitura.

“Ky do të ishte edhe një sinjal i rëndësishëm pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në një situatë kritike ndërkombëtare”.

Ai sqaron se pranimi i planit nuk do të zgjidhë të gjitha problemet por ai do të “hapte një shteg pozitiv”, që më në fund për Serbinë dhe Kosovën t’ia vlejë konstruktiviteti.

Ndërkaq, pohon se do t’i thjeshtonte shumë çështjet e bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik.

“Do të ofroheshin shumë mundësi, që të zbatohen pikat që i kemi arritur në Procesin e Berlinit dhe të shkohet përtej kësaj”, thotë ai.

Në publikimin e 18 shtatorit të vitit 2022, kur për herë të parë elaborohej se ndërkombëtarët janë vënë me intensitet prapa një “kornize të re” e cila mori emrin jo formal Propozimi frnako-gjerman.

Albanian Post tregonte se makro-perspektiva është që në vitin 2023 të arrihet një marrëveshje, e cila do të përbënte të dytën të rëndësishme pas asaj të vitit 2013 dhe në fund finalja të shënohej me 2033.

Ekskluzive, ‘korniza e re’ në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive”, thoshte titulli.

30 vjet, tri marrëveshje, për një normalizim të plotë të obligueshëm ligjërisht për Kosovën dhe Serbinë.

Kaq e rëndësishme është kjo datë për perëndimorët, prandaj për të dhënë mesazhin e përbashkimit dhe rëndësisë, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Schozl dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dërguan nga një letër te Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç një ditë para marrëveshjes.

Letra e treshes nuk ishte vetëm për të treguar se Evropa qëndron e bashkuar politikisht dhe strategjikisht për këtë marrëveshje, por edhe në një dimension tjetër.

Tri partitë që udhëheqin tre liderët evropianë nuk janë të një kahu ideologjik, madje, as s’janë afër. Njëra rri në qendër, kurse dy të tjerat, njëra në të majtë, tjetra krejtësisht në të djathtë, madje disa e çojnë edhe në ekstrem nga e djathta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore