Lajme

Sarrazin në Prishtinë: Gjermania do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në KiE


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe i Dërguarin Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në konferencë për media ka konfirmuar se Gjermania do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën, ai theksoi se Gjermania do të mbështesë Kosovën në çdo rrugëtim drejt integrimit evropian.

“Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ne do ta mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet evropiane. Ne jemi pro dhe do ta mbështesim me të gjitha kapacitetet tona aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Shpresojmë të kontribuojmë në këtë proces”, deklaroi Sarrazin.

Ndër të tjera, deklaroi se do të zgjedhtë Kosovën nëse do të jetonte në këtë rajon.

Sipas tij, mund të jetë e vërtetë kur thonë se Kosova është “vendi i tij i preferuar në Ballkanin Perëndimor”.

“Shakaja ime e zakonshme që po e bëj është se në secilin vend që po shkoj po them se ai vend është i preferuari nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, por disa njerëz thonë se është Kosova dhe kjo mund të jetë e vërtetë”.

I Dërguari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

“Herën e parë që erdha në Kosovë ishte në vitin 2016 ose 2017 dhe kisha dëgjuar disa storie negative për Kosovën në Gjermani dhe kur erdha këtu që nga momenti i parë u ndjeva mirë dhe kjo është më e mira që mund të ndodhë kur vjen në një vend dhe të pëlqen të jesh aty. Në fakt, nëse do të jetoja në Ballkanin Perëndimor ndoshta do të zgjedhja Kosovën ose njërën nga pesë vendet e tjera”.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ka diskutuar për temat të cilat lidhen me Kosovën dhe Gjermaninë gjatë këtij takimi.

“Gjatë bisedës një orëshe biseduam për shumë tema të cilat lidhin Gjermaninë dhe Kosovën, prej shumë temave dhe sfidave të rajonit por edhe rreth gjendjes gjeopolitike në botë dhe pikëpyetjeve të mëdha që janë shtruar për shkak të luftës që po bën Rusia kundër fqinjës së saj Ukrainës”, deklaroi Gërvalla.

Ajo tutje ka thënë se edhe ekzekutivi i ri gjerman po shpreh të njëjtin përkushtim si qeveritë e kaluara ndaj Kosovës.

“Jemi të kënaqur jashtëzakonisht që edhe qeveria e re kancelari i ri në takimin me kryeministrin para disa ditësh shprehi dhe përsëriti që pozicioni gjerman do të jetë edhe me aktiv sesa gjatë muajve të kaluar lidhur me sfidat rajonale në Ballkanin Perëndimor”.

“Procesi i Berlinit është një proces shumë i rëndësishëm i integrimeve rajonale, tregu rajonal po ashtu, kam kënaqësinë të dëgjoj që Gjermania do ta theksoj edhe më shumë angazhimin e saj rreth këtyre temave”.

Zyra për Media e qeverisë federale gjermane për Albanian Post, ka konfirmuar me 12 maj se i dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjendet për vizitë zyrtare në Kosovë.

Një zëdhënës i qeverisë federale për AP tha se emisari gjerman do të zhvillojë një sërë takimesh politike, takime me shoqërinë civile, do të vizitojë Manastirin e Deçanit si dhe në një fermë organike në Kosovë.

“Po e konfirmoj se zoti Sarrazin tashmë është në Kosovë. Do të qëndrojë deri të shtunën. Në agjendën e tij janë një sërë bisedimesh politike, me shoqërinë civile, dhe gjithashtu do të vizitojë Manastirin e Deçanit. Zarrazin do të vizitojë edhe një fermë organike. Pra, ai ka një numër të madh takimesh duke nisur prej bisedimeve politike e deri në vizitë të një ferme organike”, tha zëdhënësi gjerman për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore