Lajme

Sarrazin: Kurti e Vuçiç janë të mençur, lexojnë shumë


Manuel Sarrazin

Në vlerësimin e të Dërguarit Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë persona “inteligjentë” dhe se të njëjtit “lexojnë shumë”.

Këto komente, Sarrazin i ka bërë në një intervistë për “KlanKosova”, pasi që është pyetur se si janë takimet me Kurtin dhe Vuçiç-in, ku pati vlerësime pozitive për të dy.

“Dua të jem shumë i vëmendshëm, me te dy [Kurtin, Vuçiç-in] është nder të bashkëbisedoj, të dy janë inteligjentë dhe shumë të shkathët, të cilët kanë dallime të mëdha, por kisha thënë se mund të keni një punë më të keqe sesa të bashkëbisedoni me njerëz të mençur dhe njerëz që lexojnë shumë”, tha Sarrazin.

“Unë kam studiuar historinë, kështu që me te dy është më së e zakonshme të bisedojmë me historinë. Të kishte qenë vetëm për biseda do të kishte qenë një bisedë e përkryer, por natyrisht ndonjëherë ka të bëjë me rezultate dhe natyrisht ne duam të kemi rezultate, duam të sjellim rajonin më afër BE-së dhe duam të jemi të dobishëm edhe për Kosovën dhe Serbinë por edhe vendet e tjera të rajonit për të sjellë lajme të mira”, shtoi.

Duke folur për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit për pagesa në territorin e Kosovës ka thënë se e kupton qëllimin, por mënyra se si është marrë ky vendim ka shkaktuar probleme teke komuniteti serb.

“E kuptojmë qëllimin që euro të jetë si valutë e vetme në Kosovë, të fuqizohet kjo, por masat se si janë marrë i vlerësojmë si jo të duhura dhe vërejmë shumë probleme në terren për serbët e Kosovës në jetën e tyre të përditshme dhe politika ka për detyrë që t’ua lehtësojë jetën qytetarëve, dhe jo të ia vështirësojë”, pohoi ai.

Diplomati gjerman thekson se është e nevojshme që të gjendet një zgjidhje “për të ndihmuar njerëzit të cilët deri më tani kanë qenë të lidhur dhe kanë qenë të mësuar me dinarin që të kenë një mundësi të lehtë, të shpejtë dhe të mos krijohen zhvillime negative në jetën e tyre për shkak të këtij vendimi, natyrisht duke vazhduar me idenë se euro është valuta e vetme në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore