Sarrazin: Është në interes të Rusisë destabilizimi i Ballkanit Perëndimor

SHFLETO

Manuel Sarrazin

 

Dreni Himbeqa
26.06.2024 9:36
Loading Icons...

Paqja në Ballkanin Perëndimor nuk kërcënohet në të njëjtin intensitet si në Ukrainë, pas agresionit rus.

Kështu të paktën thotë emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili nuk e përjashton mundësinë që Rusia ka në agjendën e saj destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Është gjithashtu e mundur që ka një interes rus për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor për çfarëdo arsye. Ka mundësi të ndryshme për këtë. Prandaj, ne duhet të jemi të qartë, të fortë, por edhe të respektuar dhe si miq të qartë në rajon”, ka thënë Sarrazin në një intervistë për mediumin serb, N1.

Ndërkohë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për mediumin prestigjioz amerikan, Politico, kishte vlerësuar se Rusia po dëshiron të ketë edhe një vatër konflikti në Ballkanin Perëndimor për të shpërqendruar vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.

“Strategjia e Putinit është të mbajë Perëndimin të hutuar me konflikte të ndryshme. Pra, një luftë tjetër në Ballkan do të ishte shumë e mirëpritur nga Rusia”, ka thënë fillimisht ajo.

Për kryediplomaten fitorja e Ukrainës kundër Rusisë do të siguronte stabilitet për një kohë të gjatë edhe në “Ballkanin e trazuar”.