Shqipëria

Samiti i Tiranës: Përgënjeshtrohen mediat serbe – i pavërtetë lajmi për “deklaratën e përbashkët”


Foto e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Tiranës

Kryeministria e Shqipërisë i ka quajtur krejtësisht fiktive raportimet e mediave serbe se ekzistonte një dokument i cili do të duhej të nënshkruhej si deklaratë e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor nga Samiti i Tiranës, porse atë nuk e nënshkroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, meqë nuk shkruhej “Republika e Kosovës” në të.

Burime brenda qeverisë shqiptare i kanë thënë Albanian Post se “një dokument i tillë nuk ka ekzistuar fare dhe nuk është vendosur në tavolinë”.

Rrjedhimisht, nuk ka pasur se si të ketë diçka për t’u nënshkruar.

Ishte fillimisht agjencia serbe e lajmeve Tanjug që raportoi një lajm të tillë.

Media serbe shkruante se po mbështetej në burime të vetat që i kishte brenda Samitit.

Lajmin, ashtu siç e raportuan serbët, e ka mohuar edhe Qeveria e Kosovës, përveç asaj të Shqipërisë.

Zëdhënësja e ekzekutivit kosovar, Rozafa Kelmendi, deklaroi në prononcim për Albanian Post, se gjithçka është një shpikje.

“Lajmi për refuzimin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është i pavërtetë”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ndryshe nga qeveria shqiptare që mohoi ekzistimin e tërësishëm të dokumentit, Kelmendi tha se diçka ekzistonte, porse u tërhoq, “pasi është vërejtur që ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kelmendi nuk sqaroi më shumë as rreth dokumentit e as rreth atyre “dallimeve të mëdha”.

Se ka ekzistuar ideja për një deklaratë të përbashkët nuk e ka thënë zyrtarisht as kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç.

Ajo, kur ka folur për media, ka përmendur “provokimet e Kurtit”.

“Unë mendoj se kishte provokime dhe idetë e tij rreth asaj se si duhet të duket bashkëpunimi rajonal, por unë mendoj se ai mori një përgjigje të përshtatëshme dhe situatën faktike”.

Në anën tjetër, Kurti i pyetur mbi qëndrimin e Serbisë për pavarësinë, tha se Serbia duhet të shkëputet nga regjimi i Slobodan Millosheviçit dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.

Samiti i Ballkanit Perëndimor u zhvillua të enjten në Tiranë dhe mblodhi drejtuesit më të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore