Shqipëria

Samiti i Demokracisë, Rama: Plotësisht të angazhuar të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet


“Jemi plotësisht të angazhuar të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet”.

Kështu u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në samitin e Demokracisë – samit virtual që u zhvillua me pjesëmarrjen e liderëve të mbi 100 vendeve, mes të cilave edhe Shqipëria – të enjten e 9 dhjetorit.

Duke ju drejtuar presidentit demokrat të SHBA-ve, Joe Biden, i cili ishte nismëtar i këtij samiti, Rama i shprehu falënderimet për mbështetjen që Amerika i ka dhënë Shqipërisë.

“Në këtë rrugëtim miqësia dhe mbështetja e SHBA-ve ka qenë jetike për të çuar përpara aspiratat demokratike, për të forcuar shtetin e së drejtës dhe qëndrueshmërinë e institucioneve tona”.

Në fjalën e tij, numri një i qeverisë shqiptare përmendi nisjen e një prej reformave, “më të thella e gjithëpërfshirëse nga të gjitha vendet ish-komuniste – reformën në sistemin e drejtësisë”.

“Në këtë proces, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ne po e pastrojmë sistemin gjyqësor nga mbi 70% e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tij”.

Ai u bëri me dije liderëve në samit se tashmë Shqipëria është, “në proces rindërtimi të institucioneve gjyqësore, sipas modelit të demokracive të konsoliduar”.

“Ne jemi plotësisht të angazhuar për vazhdimin me sukses të reformës në drejtësi, në mënyrë që një sistem i ri drejtësie, i paanshëm dhe i pavarur nga pushteti ekzekutiv e legjislativ, të bëhet plotësisht funksional e të jetë në shërbim të njerëzve”, deklaroi Rama.

Ndër të tjera, kryeministri shqiptar vijoi më tej, duke thënë se qeveria ka punuar për digjitalizimin e shërbimeve për të luftuar korrupsionit e burokracive.

“Duke u mbështetur te sukseset ekzistuese në fushën e digjitalizimit të shërbimeve publike, ne po investojmë në shërbime elektronike, me synim që të mbyllim hapësirat ende të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe për të siguruar mirëqeverisje dhe transparencë për të gjitha proceset qeverisëse”.

Për më tepër, Rama tha se ka nisur një Partneritet për Qeverisjen e Hapur, si forum shumaktorial, që do të sigurojë një dialog kuptimplotë publik me të gjithë sektorët e shoqërisë.

“Megjithatë”, sipas Ramës pavarësisht suksesit, “historia jonë e kishte ka treguar se reformat nuk janë të pakthyeshme. Ato duhen mbështetur me përpjekje të përditshme nga një mori aktorësh dhe me një angazhim e integrim në rritje me strukturat dhe institucionet euroatlantike”.

Për rrjedhojë, Kryeministri tha se, “negociatat për anëtarësim në BE do të ndihmojnë për konsolidimin e institucioneve demokratike, për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe thellimin e sundimit të ligjit”.

“Ndërkohë që Shqipëria merr mandatin si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023, ne mbështetemi te përkrahja dhe angazhimi juaj ndaj qasjes shumëpalëshe, për të bërë të mundur që OKB-ja të funksionojë më mirë dhe të gjejë zgjidhje praktike, por të qëndrueshme për paqen”.

Në përfundim, duke u ndalur te kriza e pandemisë së COVID-19 dhe ajo e refugjatëve afganë, Rama theksoi se vendi shfaqi gatishmërinë për të mirëpritur mijëra të evakuuar, ku e gjithë kjo sipas tij bëhet në bashkëpunimin mes palëve.

“Vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal do të mundemi të parandalojmë konfliktet dhe të sjellim paqen”, e përmbylli Rama.

Ky samit bëri bashkë udhëheqësit botërorë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, me qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen kundër autoritarizmit, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Shqipëria që prej rrëzimit të sistemin komunist në vitin 1990, si një demokraci e re në krahasim me vendet e tjera është anëtare e një sërë organizatash sigurie dhe paqeje, si: NATO, OSBE, Këshilli i Evropës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore