Lajme

Samiti i CIA-Mosad-Katar-Egjipt për Gazën mbahet të dielën në Romë


Roma do të jetë mjedisi për takimin e ri për të tentuar ndërmjetësimin midis Izraelit dhe Hamasit.

Drejtori i CIA-s, Bill Burns, kreu i Mossad-it David Barnea, kryeministri i Katarit Mohammed Bin Abdul Rahman al-Thani dhe shefi i spiunazhit egjiptian Abbas Kamel priten të dielën në Romë.

Lajmi vjen edhe një herë nga Axios që citon burime amerikane dhe izraelite.

Bisedimet nuk pritet të përfshijnë negociata për detaje.

Negociatorët izraelitë nuk besojnë se takimi në Romë do të çojë në një pikë kthese dhe dyshojnë se presioni i Joe Biden ndaj Benjamin Netanyahu e ka bindur kryeministrin izraelit të zbusë disa nga kërkesat e tij ndaj Gazës, duke përfshirë ato në lidhje me kontrollin e aksit Filadelfia dhe vendkalimin Rafah.

“Netanyahu dëshiron një marrëveshje që është e pamundur të arrihet. Për momentin ai nuk është i gatshëm të dorëzohet, ndaj presim më shumë ngërç sesa marrëveshje”, shtoi zyrtari.

Sipas analistëve, Bibi heziton për një marrëveshje që do t’i shtynte aleatët e tij të ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich të braktisin koalicionin qeverisës. Por jo vetëm.

Një burim i dytë anonim konfirmon se Biden gjithashtu ka frikë se Netanyahu thjesht po ngec për të parandaluar që shumica e tij të shpërbëhet. Në çdo rast, disa vezullime mbeten ende.

Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mbajtën një takim sekret në Abu Dhabi të enjten për të diskutuar planet e pasluftës për Gazën, sipas Axios.

Në takim morën pjesë ministri i Jashtëm i Emirateve, Abdullah Bin Zayed, së bashku me ministrin izraelit të çështjeve strategjike Ron Dermer dhe të dërguarin amerikan për Lindjen e Mesme, Brett McGurk.

Vetëm javën e kaluar Lana Nusseibeh, përfaqësuesja e Emirateve të Bashkuara Arabe në OKB, raportoi se Abu Dhabi është gati të sigurojë trupa për një forcë paqeruajtëse në Gaza, vendi i parë arab që e bën këtë.

Në një intervistë për Financial Times, ambasadorja përqafoi perspektivën mbi të cilën administrata Biden ka punuar prej disa kohësh, duke bërë thirrje për krijimin e një “misioni ndërkombëtar të përkohshëm” në Rrip, i cili do të hapte rrugën për “ribashkimin e Gazës” dhe Bregun Perëndimor të pushtuar nën një Autoritet të vetëm, legjitim Palestinez”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore