Shqipëria

Samiti BE-BP e kthen Tiranën në kryeqendrën evropiane, thotë Kurti


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Samiti i 6 dhjetorit “Bashkim Evropian – Ballkan Perëndimor” e kthen Tiranën në kryeqendër evropiane.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për media nga qyteti i Kukësit.

”Ky samit e kthen Tiranën në kryeqendrën evropiane. E unë dua sa më shumë marrëdhënie të mira mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”, u shpreh fillimisht kreu i qeverisë.

Kurti shprehu dëshirën e tij që Ballkani të bëhet evropian dhe demokratik.

“Gëzohem shumë që ky samit po mbahet në një kryeqytet si Tirana. Ne jemi të bindur që BE-ja është e ardhmja dhe fati jonë. Mezi pres që ne si qeveri e shtet i Kosovës t’i bashkëngjitemi BE-së”, shtoi kryeministri i Kosovës.

Kujtojmë që Kurti iu drejtua qytetit të Kukësit pas mbledhjes historike të dy kuvendeve të përbashkëta Shqipëri-Kosovë.

Ai ishte pasdite në qytetin verilindor ku u takua me kryetarin e bashkisë Safet Gjici.

Bashkë me ish-kryeministrin Pandeli Majko dhe ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi përfaqësuesit bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve të kombit.

Kurti nderoi dhe vendosi një tufe me lule edhe te varri i Hasan Prishtinës, i cili prehet ne varrezat e dëshmoreve të kombit në Kukës.

Kryeministri i Kosovës bashkë me kryebashkiakun e Kukësit u angazhuan se në shtator të vitit të ardhshëm në këtë qytet të dyja shtetet do të zhvillojnë një mori aktivitetesh.

Këto, në nderim të 150-vjetorit të lindjes së një prej figurave më madhore të kombit shqiptar, Hasan Prishtina.

Samiti

Do të përforcohet qëndrimi i fortë evropian për anëtarësimin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe samiti i radhës mes gjashtëshes ballkanike dhe unionit, do të mbahet pikërisht në Tiranë.

Kështu ka bërë të ditur Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, përmes një postimi në median e tij sociale Twitter.

“Ballkani Perëndimor është një prioritet kyç për BE-në”, shkruan Michel. “Të dyja, i duhen njëra tjetrës”.

Të etiketuar në postimin e tij, Michel ka vendosur edhe profilin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili në këtë rast nuk do të jetë thjesht pjesëmarrës, por edhe mikpritës i gjithë vendeve të përfshira në këtë proces.

Samiti vjen në vazhdën e thirrjeve të njëpasnjëshme nga ana e strukturave të parlamentarizmit evropian, ku e fundit ka qenë ajo e 20 tetorit, me në thelb prioritetin gjeostrategjik të anëtarësimit në komunitetin evropian të gjashtëshes ballkanike.

Ky ka qenë edhe qëndrimi i shumicës së deputetëve të Parlamentit Evropian (PE) disa ditë më parë, në debatin për marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas tyre, nëse unioni nuk vepron në përputhje me faktin e lartpërmendur aktorët e tretë si Rusia, Kina dhe Turqia do të shfrytëzojnë mundësinë për të plotësuar hapësirat dhe për të rritur ndikimin e tyre në rajon.

Deputetët kryesisht ranë dakord se blloku duhet të shtojë përpjekjet e tij në përmbushjen e premtimeve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo, në mënyrë që të tregojë se e ardhmja e tyre evropiane është ende në horizont.

Sipas deklaratave, deputetët ndanë një perceptim pozitiv për momentin e ri të politikës së zgjerimit, sepse ai do t’i lejojë BE-së të rivendosë besueshmërinë e saj midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor.

Ky i fundit nisi të dobësohej si rezultat i procesit të tyre të ngadaltë dhe jokonsistent të pranimit.

Megjithatë, vendet duhet të vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit duke zbatuar reforma dhe në rastin e një vendi në veçanti duke u përafruar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP).

Dështimi i Serbisë për të miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe për të harmonizuar politikën e saj të jashtme në lidhje me luftën në Ukrainë me BE-në ishte një nga temat kryesore të debatit.

Çështjet më të diskutuara përfshinin gjithashtu nisjen e procesit të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, rekomandimin e statusit të kandidatit për Bosnje-Hercegovinën dhe procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës.

Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Várhelyi, hapi debatin duke ndarë vërejtjet më të rëndësishme nga paketa e zgjerimit të vitit 2022 dhe një garanci se BE-ja do të mbetet partneri kryesor i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai identifikoi COVID-in, krizën energjetike dhe migrimin si fushat kyçe në të cilat BE-ja mbështeti dhe do të vazhdojë të mbështesë shtetet kandidate nga rajoni në këtë periudhë.

“Ne nuk do ta lëmë Ballkanin Perëndimor vetëm. Ne do të japim nga ana jonë, si politikisht ashtu edhe financiarisht. Ne synojmë të rrisim ndjeshëm me 60 për qind fondet tona për të adresuar sfidat e migracionit në Ballkanin Perëndimor gjatë periudhës 2021-2024, që do të thotë më shumë se 350 milionë euro”.

Ndërsa, në veçanti, ky samit vjen edhe me një vlerë të shtuar, veçanërisht për dy vende, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat këtë vit kanë hapur zyrtarisht negociatat për integrimin e vendeve respektive në BE.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore