Gatimi

Sallata ruse, kur shijet bëhen një


Receta e sallatës ruse është një nga pjatat e preferuara në tryezat shqiptare, sidomos në rastet e gëzimeve familjare apo festave të fundvitit. Kjo sallatë e shijshme me perime të freskëta nën salcën e majonezës shoqëron në mënyrë fantastike gatimet e tjera të tryezës, për t’u shijuar me pjesëtarët e familjes.

Sallatës mund t’i shtoni dhe përbërës të tjerë, të cilët krijojnë shije të reja dhe dinamike, duke pasuruar ato tradicionale.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit: 100 gr fasule të ziera, 100 gr bizele të ziera, 100 gr karrota të ziera, 100 gr patate të ziera, majonezë, 1 limon (i shtrydhur), pak vaj ulliri, kripë, piper.

Përgatitja

I lajmë fasulet dhe i ziejmë për 15 minuta në një enë. Më pas e ndërrojmë ujin, kullojmë fasulet dhe i vendosim sërish në enë me ujë të pastër për t’i zier për 30 minuta. Hedhim kripë dhe vaj ulliri. Kujdesemi që fasulja të mos shformohet.

Lajmë dhe pastrojmë patatet, i vendosim në një tenxhere tjetër me ujë të ngrohtë për t’i zier. Të njëjtën gjë bëjmë dhe për karotat në të njëjtën enë.

Pasi të jenë zbutur, i heqim nga tenxherja dhe i kullojmë, bashkë me fasulet që vendosëm në fillim.

Vendosim për të zier bizelet në tenxheren me ujë ku kishim patatet dhe karotat. Kujdesemi që bizelja të mos shformohet.

Kur të jenë zier bizelet, i bashkojmë me perimet dhe legumet e tjera. Presim në kubikë të vegjël patatet dhe karotat. I vendosim të gjithë përbërësit në një pjatë sipas sasive që dëshirojmë. Shtojmë majonezë, lëng limoni dhe i përziejmë.

E provojmë salcën e sallatës dhe nëse ka nevojë i shtojmë kripë, vaj ulliri. I përziejmë sërish përbërësit dhe e vendosim në frigorifer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore