Shqipëria

Saliu barin nuk e ka ngrënë asnjëherë


Që një ambasador amerikan të shkojë në selinë e një partie dhe t’i japë kryetarit një ultimatum përfundimtar, është diçka e paprecedentë. Por, Yuri Kim, e bëri.

Ajo i ka kërkuar publikisht Lulzim Bashës që të heqë qafe (ai dhe PD-ja) peshën kushtëzuese të ish-kreut të partisë, Sali Berisha.

Pasi e shpallën ish-presidentin shqiptar non grata bashkë me gjithë familjen e tij, duke i lidhur me korrupsionin, akti i përfaqësueses amerikane tregon se administrata Biden po përmbush një sulm të vërtetë ndaj PD-së, në mënyrë që të braktisë një klan politiko-biznesor, që ka kushtëzuar prej vitesh jetën politike shqiptare dhe që vijon ta bëjë këtë gjë edhe sot.

Berisha iu kundërpërgjigj ambasadores me tonin e tij të përhershëm përbuzës.

Në veçanti, iu përgjigj një citimi të Kim, e cila iu referua një shprehjeje të ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha (Do të hamë bar vetëm që të mos i shkelim idealet tona), duke i kujtuar partisë së tij rolin e antagonistit të regjimit.

Por, Berisha e harron se ka qenë mjeku personal i diktatorit dhe që e ka përdorur këtë rol si mjet pushteti ndaj kolegëve të tij brenda partisë së vetme.

Atëherë, si sot, në Shqipëri, ka kush ha bar dhe ka kush ha mish. Dhe ai, ka qenë gjithnjë dikush që ka ngrënë më shumë se të tjerët.

Kapet edhe me financierin George Soros, duke e akuzuar se ka manovruar akuzat ndaj tij.

Por, Sorosit, Shqipëria e Kosova i detyrohen shumë, për ngritjen e tyre pas regjimit e pas luftës.

Sigurisht, i detyrohen shumë më shumë këtij financieri hungarez se sa këtij ish-komunisti që, siç e ka thënë edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, mishëron – së bashku me familjen e vet – më të keqen e historisë politike shqiptare.

Shqipëria e sotme do të rritet, të rinovohet, të bëhet një shtet modern dhe civil. Ka nevojë për një dialektikë politike efektive, të lirë nga dhuna dhe shantazhi, për të adresuar të ardhmen e saj drejt këtyre objektivave.

Berisha përfaqëson fazën më të zymtë të politikës shqiptare, ku nuk ekziston përballja, por përleshja e dhunshme midis palëve, shantazhi dhe kërcënimet.

Për të shkuar përpara, shteti ka nevojë të lirohet nga kjo barrë, të ketë një mazhorancë dhe një opozitë demokratike, që përkushtohet në arritjen e objektivave të caktuar nga Evropa, siç duket, edhe nga Amerika, për t’u quajtur me gojën plot një shtet civil.

Ambasadorja i ka kërkuar Bashës të lirohet nga “babai-pronar” dhe të udhëheqë PD-në drejt një dialektike demokratike.

Sigurisht, metoda e përdorur nga DASH-i mund të përkufizohet si një suazë morale: është irrituese dhe ndoshta as shumë korrekte ndaj një vendi sovran.

Mirëpo, duhet shtuar se, përpara se të kalohej në këtë strategji ekstreme, nga Washington-i ka pasur tentativa për të bindur “padrino-n” e plakur, që të tërhiqej, të cilave ai u është përgjigjur gjithnjë me tonin e tij përbuzës.

Tashmë, Basha ka kohë deri në shtator për t’u liruar nga lideri i vjetër.

A do t’ia dalë? Ndoshta nuk do të jetë i aftë dhe, atëherë, deri ku mund të arrijë dora e Washington-it?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore