Saimir Tahiri del nga SPAK pas dy orësh

SHFLETO
Rajmonda Basha
24.06.2024 15:44
Loading Icons...

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dalë nga Prokuroria e Posaçme SPAK pas dy orësh marrjesh në pyetje.

Arsyet e kësaj paraqitjeje nuk janë ende të ditura, teksa Tahiri vetë gjendet në arrest shtëpie, duke vuajtur një dënim të mëparshëm të dhënë nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shpërdorim detyre.

Tahiri u lirua nga burgu të premten e 2 qershorit, kur iu ndërrua edhe masa, duke e lehtësuar në atë arrest në shtëpi.

Kështu ka vendosur Gjykata e Elbasanit, e cila theksoi se Tahiri do ta kryejë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Matilda Fetahu, që pranoi kërkesën e ish-ministrit për lirim të parakohshëm me kusht nga qelia, në një kohë kur ka shlyer 3 të katërtën e dënimit.

Tahiri e dërgoi pak muaj më parë kërkesën pranë Gjykatës së Elbasanit për njohjen e kohës së paraburgimit.

Ai argumentoi se ka mbajtur kontakte me shërbimin e provës e për këtë arsye duhet të ulet dënimi.

Për vendimin, ka qenë ekspertiza mjekoligjore e bashkëshortes që ka bindur gjykatën të marrë vendimin e lirimit.

Po ashtu Prokurori i çështjes ka raportuar për sjelljen e mirë të Tahirit.

Kjo nuk ishte kërkesa e parë e Tahirit në lidhje me çështjen.

Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e Tahirit për pezullim të dënimit.

Ishte (GJKKO), e cila të premten e 4 shkurtit dënoi ish-ministrin e Brendshëm, me tre vite e katër muaj burgim, për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.

Fillimisht, Tahiri u dënua me pesë vite burgim, por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u ul në tre vite e katër muaj burg.

Ndonëse i shpëtoi tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike.

Ish-ministri i qeverisë së kryeministrit socialist të Edi Ramës, në detyrë deri në mars 2017, ishte i përfshirë në hetimet e zhvilluara në Itali, të cilat çuan në tetor të po këtij viti, në çmontimin e një organizate kriminale të përbërë nga italianë dhe shqiptarë të angazhuar në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve.

Ai u akuzua se kishte lidhje direkte me dy anëtarë të kësaj organizate, Moisi dhe Florian Habilaj, të afërm të tijët, ku i pari, është dënuar në Itali për trafik droge.