Shqipëria

Sa u kushton shqiptarëve një apartament në Tiranë


Çmimet e apartamenteve në Shqipëri, konkretisht në kryeqytetin e vendit, Tiranë, janë rritur ndjeshëm.

Kjo sipas një analize të bërë nga revista Monitor, ku tregohet se, nga viti 2005 deri më tani, çmimet e apartamenteve janë shtrenjtuar me 70%.

Ndërsa indeksi i “Keydata Albania”, publikuar nga Çelësi Media Group, tregon se çmimi mesatar i 1 metri katror në kryeqytet, në fund të 6-mujorit të parë 2021, arriti në 1102 euro/metër katror.

Krahasuar me një vit më parë, çmimet mesatare reale të shitjes së apartamenteve në Tiranë u rriten me 4.22% .

Banka e Shqipërisë (BSH) ka zhvilluar një anketë, përmes të cilës janë publikuar dhe pritshmëritë nga ndërtuesit.

Që prej fillimit të vitit 2020, sipas BSH-së, ndërtuesit presin më shumë rritje të çmimeve sesa ulje të tyre, ndryshe nga periudha e mëparshme, kur balanca ishte negative.

Ndërkohë që çmimet po rriten, dëshira dhe fuqia blerëse e konsumatorëve, ka rënë ndjeshëm sipas analizës nga Monitor.

U rriten dhe lejet e ndërtimit
Instituti i Statistikave (INSTAT) përmes një raporti ka bërë publikimin e shifrave të lejeve të ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2021 krahasuar me ato të një viti më parë.

Gjatë kësaj periudhe kohore janë miratuar gjithsej 347 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 209 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2020. Kjo shënon një rritje prej 66%.

Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2021, është 544 mijë e 127 metër katror nga 322 mijë e 294 metër katror që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2020.

Kjo shënoi një rritje prej 68,8 %.

Në tremujorin e dytë të vitit 2021, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 23,1 miliardë lekë, nga 14,8 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2020, duke shënuar një rritje prej 55,8 %.

Numrin më të lartë të lejeve ndërtimit në tremujorin e dytë e ka pasur qarku Tiranë, pasuar nga Durrësi dhe me zero leje ndërtimi qarku Kukës.

Çmimi i lëndës së parë të ndërtimit, dhe kjo në rritje

Çmimi i lëndëve të para për ndërtim është rritur. Prandaj, në vitin 2021, ndërtimi kushton më shtrenjtë. Më shtrenjtë se vjet. Dhe, më shtrenjtë se parvjet. Veçanërisht pjesa e ndërtimit të vrazhdë. Megjithatë, sivjet po ndërtohet më shumë se tre-katër vitet e fundit.

Numri i lejeve që merren për ndërtim në Shqipëri është rritur ndjeshëm përgjatë vitit 2021. Bazuar në shifrat e INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti janë miratuar plot 251 leje, për ndërtime të reja, krahasuar me 184 të tilla, sa ishin miratuar në tre muajt e parë të vitit të shkuar.

Rrjedhimisht, ka rritje prej 36,4% të autorizimeve të dhëna për fillimin e punës mbi projektet e ndërtimit dhe rritje prej 98,9% të vlerës së këtyre ndërtimeve.

Pra, në raport me vitin e shkuar, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit ka shënuar rritje me 79.7%. Edhe krahasuar me vitin 2019 dhe po ashtu me vitin 2018, ka një rritje prej rreth 14% të numrit të lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja.

Përveç numrit të lejve të ndërtimit, është rritur edhe kosto e ndërtimit. Çmimi i tullave për ndërtim ka shënuar rritje prej 121%. Nga 28 lekë sa kushtonte tulla-bllok për ndërtim në janar të 2020-ës, tani një e tillë kushton 62 lekë.

Për Albanian Post, këtë e kanë konfirmuar përfaqësues të disa fabrikave të tullave në rrethinën e Tiranës. Ekonomisti i një prej tyre, në zonën e Fushë-Krujës, ka sqaruar se edhe ata e kanë rritur ndjeshëm çmimin e tullave-bllok për ndërtim. Por, ai vendimin e arsyeton me rritjen “në maksimum” të çmimit të lëndës së parë, e nevojshme për prodhimin e tyre.

“Lënda e parë, e cila është e listuar në bursë, është rritur dyfish në çmim, krahasuar me para pandemisë”, thotë ai.

Për më tepër, ai nënvizon se “rritja e çmimit të tullave nuk ka lidhje me rritjen e numrit të lejeve të ndërtimit”.

Mirëpo, ndryshe mendon ekonomisti Vjoldi Danaj, i cili përveç rritjes së çmimit të tullës-bllok, vë theksin edhe tek rritja e çmimit të hekurit për ndërtim – që sipas tij “është shtrenjtuar me 2.5 herë, krahasuar me periudhën para pandemisë”.

Ai argumenton se këto rritje të çmimeve kanë efekte zinxhirore, që në shkallë të fundit shkaktojnë rritjen e çmimit të banesave. “Kyesisht në Tiranë, kemi pasur rritje të taksave nga ana e bashkisë edhe në lejet e ndërtimit, që pastaj nënkupton rritjen e çmimit të tullave dhe me siguri rritjen e çmimit të banesave”, deklaron ai.

Në një mënyrë, edhe inxhinierja Bozo vlerëson se me shtimin e numrit të ndërtimeve, për pasojë është rritur edhe çmimi i lëndëve të para për ndërtim, në parimin e thjeshtë të ofertës dhe kërkesës.

“Kur ka kërkesë të madhe, gjithmonë rriten çmimet. Një arsye për rritjen e çmimit të tullave është se, ngaqë janë dhënë shumë leje, kanë nevojë për shumë lëndë të parë. Është faktori ofertë-kërkesë”, thotë Bozo.

Mirëpo, ekonomisti Danaj thotë se faktor kyç në këto lëvizje “është pandemia që e ka rritur çmimin e hekurit dhe të lëndëve të para”. Ndërkaq, për sa i përket çmimit të banesave, ai vlerëson se rritja është rrjedhojë e “mokontrollit total të shtetit në këtë sektor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore