Sport

Sa shanse ka Shqipëria të kualifikohet në EURO 2024


Mes entuziazmit në tribuna dhe rezultatit të shkëlqyer të arritur në fushë ndaj Polonisë, shanset e kualifikimit të Shqipërisë në Europianin e vitit 2024 janë rritur ndjeshëm. Por sa?

Faqja ndërkombëtare “We Global Football”, e cila skedon shanset dhe parashikimet kualifikuese të EURO 2024 të përditësuar më 10 shtator përllogarit se me 90.52 për qind kombëtarja kuqezi do të presë biletën për në Berlin.

Madje, WFG-ja e vendos Shqipërinë edhe mbi Republikën Çeke (87.40 për qind) pas fitores bindëse ndaj ekipit polak.

Moldavia, edhe pse ka pikë të barabarta me Çekinë, kuotohet me 0.60 për qind shanse për t’u kualifikuar.

Sipas faqes, atë e pret një malore stërmunduese ndeshjesh duke llogaritur dy transfertat me Poloninë dhe Republikën Çeke, pa harruar ndeshjen në shtëpi me kryesuesit e grupit E.

Kosova, duke iu referuar përditësimit të WFG-së, vlerësohet në 0.76 për qind shanse po aq sa Maqedonia e Veriut për të kaluar në fazën finale të kompeticionit kontinental.

Kujtojmë që, e diela e 10 shtatorit rezultoi një mbrëmje e jashtëzakonshme në “Air Albania”.

Kjo, teksa djemtë e Sylvihno-s dukeshin sikur po kërcenin samba përballë një kundërshtari tepër të fortë si Polonia.

“Shqiponjat kuqezi” triumfuan 2-0 përballë “shqiponjave të bardha” polake në ndeshjen e pestë të kualifikueseve për Euro 2024.

Një “raketë” nga Jasir Asani në pjesën e parë dhe një gol tjetër nga Mirlind Daku në pjesën e dytë i dhanë krah “Shqiponjave” duke i katapultuar në vendin e parë në Grupin E.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore