Shqipëria

Sa do të kushtojë Starlink në Shqipëri dhe si do të funksionojë?


Prej 9 prillit, shërbimi i internetit satelitor nën kompaninë SpaceX të manjatit amerikan Elon Musk, e emërtuar Starlink, e ofron shërbimin edhe në Shqipëri, duke u bërë kështu vendi i dytë pas Maqedonisë së Veriut, që e fut produktin në treg.

Vetë Elon Musk, e bëri lajmin publik përmes një publikimi në X, ish-Twitter, median e tij sociale ndër të tjera, duke thënë se Shqipëria zyrtarisht implementon shërbimin e Starlink në treg.

Starlink tani edhe në Shqipëri, njofton Musk

Teksa kureshtje e madhe u ngjall nga qytetarët për këtë risi teknologjike në vend, ende shumë prej tyre e kanë të paqartë se si gjithçka punon dhe mbi të gjitha, sa kushton…

Çmimi është i kripur në fakt, nëse mendohet se shërbimi mesatar i internetit në Shqipëri me kompanitë që operojnë në treg, varion nga 1 mijë deri në 2 mijë lekë në muaj, për shpejtësi që arrijnë deri në 200 mb/sek.

Edhe kostot e instalimit fillestar në Shqipëri janë tejet të lira, ku kryesisht mbulohen nga vetë kompanitë nëse lidhen kontrata vjetore, ose shkojnë deri në 3 mijë lek për shërbim pa obligime të mëtejshme afatgjata.

Starlink ndërkohë, me të vërtetë e ofron luksin e të pasurit shërbim kudo dhe sido, por me kosto të kripur për qytetarët e thjeshtë.

Fillimisht, duhet llogaritur kostoja fillestare e pajisjeve që SpaceX i dërgon përdoruesve.

Sipas faqes zyrtare, ato arrijnë në 42 mijë e 500 lekë, ku përfshihen gjithë pajisjet “hardware”, për të pasur shërbim. Nuk bëhet me dije ndërkaq nëse ka edhe kosto postare apo doganore shtesë për produktin.

Nga ana tjetër, vetë shërbimi shkon në 6 mijë e 500 lekë në muaj si tarifë fikse e pajtimit mujor.

Një shifër kjo tejet e lartë – dhe ndoshta më e larta në tregun shqiptar – por me luksin e të mos pasurit asnjë pengesë apo shpërndarje të shumëfishte mes linjave të internetit dhe fibrës optike. Po ashtu, edhe duke ofruar shumë më shumë siguri, duke qenë se ndërmjetësi i vetëm i shërbimit është kompania Starlink me qindra satelitët e saj në orbitë.

Përtej tarifës shumë të lartë, objektivi i SpaceX nuk është ai i ofrimit të internetit në zona të urbanizuara, sa ai i ofrimit të shërbimit në zona tejet të largëta, ku linjat e kompanive vështirë se shkojnë, përfshi ato të telefonisë celulare në rrjetin 3/4/5G.

Starlink, në faqen zyrtare, bën me dije po ashtu se nuk ka asnjë lloj kontrate detyruese për klientët e saj, duke paraqitur edhe një politikë 30-ditore për anulimin e shërbimit, nëse nuk pëlqehet nga klientët, si edhe rimbursimit për pajisjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore