Rutte thotë fjalët e para si shefi i ri i NATO-s: Aleanca është dhe do të mbetet gur themeli i sigurisë sonë kolektive

SHFLETO
Vitjon Nina
26.06.2024 12:56
Loading Icons...

Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i sapozgjedhur i NATO-s, ka reflektuar mendimet e para pas caktimit të tij në pozitën më të lartë të aleancës ushtarake më të madhe në botë, duke thënë se “NATO është dhe do të mbetet gur themeli i sigurisë sonë kolektive”.

Përmes një publikimi në X, ish-Twitter, ai ka falënderuar liderët e vendeve anëtare për besimin që kanë pasur te ai dhe e cilësoi marrjen e detyrës si një nder.

“Unë u jam mirënjohës të gjithë aleatëve për besimin e tyre tek unë. Pres me padurim të marr pozicionin me energji të madhe në tetor, si pasardhës i Jens Stoltenberg, i cili i ka dhënë NATO-s një lidership të jashtëzakonshëm gjatë 10 viteve të fundit dhe për të cilin gjithmonë kam pasur një admirim të madh”, shkruan ai.

 

Emërimi i Rutte u bë një formalitet, pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar se ai ishte larguar nga gara, pasi nuk arriti të fitonte mbështetje.

Përmes një komunikate të shkurtër për shtyp, NATO bën me dije: Të mërkurën (26 qershor 2024), Këshilli i Atlantikut të Veriut vendosi të emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si Sekretarin e Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s, duke pasuar Jens Stoltenberg. Z. Rutte do të marrë funksionet e tij si Sekretar i Përgjithshëm nga 1 tetori 2024, kur mandati i Stoltenberg përfundon pas dhjetë vjetësh në krye të Aleancës.

Sekretari aktual, Stoltenberg, po ashtu ka reaguar menjëherë: Unë mirëpres ngrohtësisht zgjedhjen e Aleatëve të NATO-s për Mark Rutte si pasardhësi im. Marku është një transatlanticist i vërtetë, një udhëheqës i fortë dhe një ndërtues i konsensusit. I uroj atij çdo sukses ndërsa ne vazhdojmë të forcojmë NATO-n.

 

 

Reagim ka pasur edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila përgëzoi Rutte-n përmes një publikimi në X, ish-Twitter:

Urime, i dashur Mark Rutte, që u zgjodhët si Sekretari ri i Përgjithshëm i NATO-s. Udhëheqja dhe përvoja juaj do të jenë vendimtare për Aleancën gjatë këtyre kohërave sfiduese. Mezi pres të punoj me ju për të forcuar më tej partneritetin BE-NATO.