Lajme

Rusia po tërhiqet nga Kherson-i, por ukrainasit s’po nguten


Foli në televizionin shtetëror rus pranë një harte.

Ai, Sergey Surovikin, gjenerali më i lartë rus që drejton luftën në Ukrainë, u shfaq për t’i thënë ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu se trupat ruse duhet të tërhiqen nga Kherson-i.

“Planet dhe veprimet tona të mëtejshme për qytetin e Kherson-it do të varen nga mënyra se si do të shpaloset situata ushtarako-taktike”, ka thënë Surovikin.

Për të, në ditët e sotme nuk është e lehtë.

Tërheqja nga qyteti më i madh ukrainas që Rusia kishte pushtuar që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, sipas tij, ishte një lëvizje për të shpëtuar jetën e ushtarakëve.

Pastaj, kamera iu drejtua Shoigut, i cili tha se ishte dakord me konkluzionet e Surovikin dhe urdhëroi tërheqjen e trupave dhe transferimin e tyre përtej lumit Dnieper.

Orë më vonë, një banor vendas ka treguar për “Aljazeera” se automjetet ushtarake ruse u dëgjuan duke u larguar nga Kherson-i, që shërben si një portë për në gadishullin e aneksuar të Krimesë përgjatë dy urave të mbetura.

Njëra është ura Antonivsky që shtrihet pothuajse 1 mijë e 400 metra përtej ujërave të Dnieper, lumit më të madh të Ukrainës, i cili e ndan ish-kombin sovjetik në bregun lindor.

Tjetra është ura mbi digën Nova Kakhovka, në verilindje të Kherson-it, e cila përmban pothuajse 20 kilometra kub ujëra të Dnieper-it dhe që ridrejton një pjesë të saj në Gadishullin e Krimesë të uritur nga uji.

Në muajt e fundit, të dyja urat janë dëmtuar pjesërisht nga sulmet me raketa ukrainase, duke ngadalësuar lëvizjen e ushtarëve rusë.

Ukrainasit nuk po nxitojnë edhe pse që nga gushti, ata kanë dëbuar rusët nga dhjetëra qytete dhe fshatra në bregun e djathtë të Dnieper-it.

Vendimi i tërheqjes së Kremlinit thuhet se nuk është i papritur.

Eksperti ushtarak ukrainas, Oleh Zhdanov, beson se tërheqja nuk është gjë tjetër veçse një kurth për të joshur forcat ukrainase dhe për t’u shkaktuar atyre humbje masive.

Ai ka pretenduar se forcat ruse të maskuara si civilë janë ngujuar në zonat e banuara të Kherson-it për të qëlluar mbi ushtarakët ukrainas.

Po aq të kujdesshëm janë edhe zyrtarët ukrainas.

“Derisa flamuri ukrainas të rri pezull mbi Kherson, nuk ka kuptim të flasim për tërheqjen e trupave ruse”, ka thënë ndihmësi i presidentit Mykhailo Podolyak në një fjalim televiziv.

Përpara njoftimit të tërheqjes, zyrtarët e emëruar nga Rusia kishin kërkuar prej javësh dhjetëra mijëra civilë të largoheshin nga qyteti dhe shkatërruan qindra varka të të gjitha madhësive në të dy brigjet.

Shumë prej tyre preferuan të qëndronin në qytet, i cili kishte një popullsi të paraluftës prej afro 300 mijë njerëz, pavarësisht nga rreziqet.

Pushtuesit që u tërhoqën kanë hequr gjithashtu flamujt rusë dhe kanë marrë dy statuja bronzi të gjeneralëve caristë të shekullit të XVIII-të.

Ligjvënësi rajonal i Kherson-it, Serhiy Hlan, është i bindur se tërheqja është reale, sepse Rusia nuk mund të përballojë më të mbajë forcat e saj në bregun e djathtë të Dnieper-it mes sulmeve të përditshme të kryera nga raketat e furnizuara nga Perëndimi.

“Ky është një fund logjistik i kundërofensive të Ukrainës që filloi në gusht”, ka thënë ai.

“Humbjet që pësuan pushtuesit në muajt e fundit filluan të rriten në një progresion gjeometrik, sepse ne marrim më shumë ndihmë nga partnerët tanë perëndimorë”, ka shtuat ai.

Sipas Hlan, ky nuk është kurth.

Edhe disa ekspertë ndërkombëtarë janë dakord.

Nikolay Mitrokhin, një analist me bazë në Gjermani, ka thënë se tërheqja e Rusisë nga qyteti mund të çojë në bombardime masive dhe pa dallim nga bregu i majtë.

Forcat ukrainase “duhet të presin nga rusët që ta shkatërrojnë qytetin me bombardime nga bregu i majtë, siç po e bëjnë me Kharkiv-in”, ka treguar ai.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore