Rusia, përfituesja e moskordinimit të Kosovës me Perëndimin
Ilustrim
Dreni Himbeqa
01.09.2024 7:30Me agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë një nga qëllimet kryesore të Perëndimit ishte bllokimi i një efekti domino që ky konflikt mund të shkaktojë në rajone edhe ashtu të brishta për nga aspekti i sigurisë.
Kundër-ofensiva e suksesshme ukrainase brenda territorit rus në muajt e fundit shtoi edhe më shumë brengën e Perëndimit se Moska tashmë me doemos ka nevojë edhe për një vatër tjetër konflikti për ta shpërqendruar sadopak vëmendjen e shtuar të hemisferës perëndimore mbi zhvillimet në euroazi.
Në dritën e kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në koordinim të plotë me Bashkimin Evropian, në përditshmëri bënin thirrje për bashkëpunim e dialog duke dënuar me terme më të ashpra të gjitha veprimet që mund të nxisnin tensione dhe rrjedhimisht konflikt eventual.
E gjithë kjo thirrje hasi në veshin e shurdhër të Qeverisë së Kosovës, e cila që nga fillimi i invazionit rus në mënyrë konstante befasoi aleatët e saj me politikat sovraniste në Veri të Kosovës, të cilat jo rrallë herë përfunduan me përkeqësimin e situatës së sigurisë në terren.
Rusia, për analistin politik Petrit Zogaj, i di shumë mirë shtetet të cilat janë të rrezikuara nga shpërthimi i konflikteve për të cilat ajo do të bënte çmos që t’i aktivizonte.
Njëra nga këto shtete përveç Gjeorgjisë, Moldavisë e Bosnje e Hercegovinës është edhe Kosova.
Duke marrë parasysh raportet e Serbisë me Rusinë, Zogaj potencon se për SHBA-të dhe BE-në në këtë fazë është jashtëzakonisht e rëndësishme që Rusia të mos tentojë që të fillojë edhe një konflikt në Evropë në atë mënyrë që t’i bëhet më lehtë lufta në Ukrainë dhe e dyta ta shndërroi kontinentin në një zonë lufte, kaosi e pasigurie.
Në drejtim të kundërt të kësaj qasjeje, sipas Zogajt, aktualisht po vepron Qeveria e Kosovës.
Kosova, në vlerësimin e tij, për disa vite tashmë po ndjek një politikë tensionuese në raport me Perëndimin për gjoja një narrativ të shtrirjes së sovranitetit në Veri të vendit.
“Kjo politike, së pari ka krijuar një hendek mosbesimi te mbështetësit e Kosovës, dhe e dyta, nga leximet ndërkombëtare, po krijon një klimë tensioni brenda Kosovës përmes një prezence policore dhe të autoritetit politik jo legjitim në katër komunat e veriut”, thotë ai për Albanian Post.
Kjo dinamikë e krijuar në Kosovë, për Zogajn, është edhe arsyeja kryesore që Shefi i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, vizitoi Kosovën, pas vizitave në Bosnje e Hercegovinë e Serbisë.
“Asnjëra prej këtyre tri shteteve nuk janë pjesë e NATO, çka do të thotë që nuk kanë komunikim të brendshëm sa i përket çështjeve të sigurisë, prandaj duhet vizita direkte që të përcillen mesazhe të qarta kur bëhet fjalë për veprime të njëanshme që do të destabilizonin Ballkanin”, shton ai.
Edhe për Gëzim Visokën, profesorin e Universitetit të Qytetit të Dublinit (DCU) në Irlandë, vizita e Burns, duhet lexuar si paralajmërim për forcat destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Paralajmërim ky i cili ndërlidhet, siç vlerëson Visoka, me faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndryshojnë qasjen dhe të përdorin mekanizma të tjerë për zbatuar politikën e tyre të jashtme.
“Ndonëse është vështirë ta dimë arsyen e vërtetë të vizitës së Drejtorit të CIA-s në Bosnie dhe Hercegovinë dhe Serbi, mund të spekulojmë se kjo vizitë paraqet një fazë të re të përpjekjeve amerikane për të ruajtur stabilitetin në rajon. Duket se jemi duke lëvizur nga diplomacia e nivelit të ulët të udhëhequr nga ambasadorët amerikanë në rajon drejt një diplomacie të inteligjencës dhe paralajmërimit dhe ndëshkimit kredibil nga Uashingtoni”, thotë ai për Albanian Post.
Këto vizita në pikëvështrimin e Visokës duhet lexuar edhe në kontekstin e luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë.
“Kam përshtypjen se ndërhyrja e Ukrainës në territorin rus ka ndryshuar dinamiken e luftës atje dhe reagimi rus mund të vijë në shumë forma, përfshirë dhe aktivizimin e planeve të tyre për të destabilizuar rajonet e tjera ku SHBA-të dhe BE-ja mund të dëmtohen dhe çorientohen”, argumenton ai.
Nëse ky lexim është i saktë atëherë, beson Visoka, vizita e Drejtorit të CIA-së në rajon “është shenjë që mund të ketë lëvizje destabilizuese me qëllim të dëmtimit të perëndimit”.
Avazin e njëjtë pa kokëçarje Qeveria e Kosovës e vazhdoi edhe të premten e 30 gushtit kur mbylli pesë komuna paralele serbe në Veri të Kosovës, gjë që dëshmoi se asaj nuk i interesojnë as këshillat e Burns duke vendosur ta ndjekë kursin sovranist në Veri me shumë pikëpyetje në raport pasojat që mund të shkaktojë kjo qasje.
Ambasada e SHBA-ve në Kosovë edhe njëherë kundërshtoi fuqishëm aksionin në Veri, madje theksoi se policia, të cilën tha se e ka ndihmuar të profesionalizohet, po instrumetalizohet nga Qeveria, ndërkaq James O’Brien kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’”, thuhej në reagim.
Përveç kësaj, ambasada e SHBA-ve në Kosovë pati mesazh edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme – që drejtohet nga Xhelal Sveçla – dhe vartësit e saj, nëse qeveria vazhdon me këso veprimesh.
“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, ishte paralajmërimi amerikan.
Përveç ShBA-ve, reagime kundërshtuese ka pasur edhe nga vendet e tjera partnere të Kosovës, përmes misioneve diplomatike të tyre në Prishtinë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, është shprehur i shqetësuar për aksionin e së premtes në Veri të Kosovës, ku u mbyllën pesë komuna paralele, duke thënë se veprime të tilla mund të nxisin tensione.
“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë”, shkroi Hargreaves në Facebook.
“Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, ka shkruar ai.
Në këtë linjë kanë qenë edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde si dhe ai francez, Olivier Guerot.
Ata kanë shprehur shqetësimin e tyre për veprimet e institucioneve të Kosovës në Veri të vendit, të premten.
Sipas Rohdes, Kosova po krijon kriza të panevojshme.
“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet reagimit të Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë”.
“Duam të heqim masat dhe të lëvizim përpara në integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës. Jo më gjendje krize të panevojshme”, ka shkruar Rohde në rrjetin social ‘X’.
Kurse ambasadori francez, Olivier Guerot ka thënë se veprime të tilla s’janë të mirëpritura.
“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm në komunitete, në këtë rast te komniteti serb, nuk është i mirëpritur”.
“Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.