Lajme

Rusia ndërmjetëson me sukses armëpushimin Armeni-Azerbajxhan


Moska ka arritur në mënyrë të suksesshme të ndërmjetësojë armëpushimin momental mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, pas tensionimeve të orëve të fundit në kufirin mes shteteve, ku ka pasur edhe ushtarë të vrarë nga të dy palët.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kremlini, teksa një konfirmim përfundimtar pritet nga Yerevani dhe Baku, për arritjen e marrëveshjes.

Sipas të dhënave nga agjencia ruse e lajmeve TASS, kjo marrëveshje, me ndërmjetësim nga Moska, është arritur rreth orës 09:00, mëngjesin e 13 shtatorit dhe është në zbatim.

Mirëpo, nga pala azere, pretendohet se ka pasur një thyerje të armëpushimit nga ana e armenëve.

Sipas kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, 49 ushtarë janë vrarë në kufirin me Azerbajxhanin, pas një përleshjeje të përgjakshme në orët e para të mëngjesit të 13 shtatorit.

Në orët e para të pas sulmit, të dy palët kanë akuzuar njëra-tjetrën, duke theksuar se disa ushtarë ishin vrarë. Përkatësisht, pala azere e bëri me dije e para përgjakjen e konfliktit, pa dhënë detaje për shifra.

Mirëpo Pashinyan, në disa biseda telefonike të zhvilluara me aleatët, si për shembull me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe atë rus, Vladimir Putin, ka konkretizuar se armenët e vrarë – të paktën deri tani – janë 49.

Gjithsesi, ai ka përmendur këtu edhe disa goditje në frontin e luftës, të cilat kanë ardhur nga Baku pas ngjarjeve të para, të cilat ndodhën rreth mesnatës.

Në një raportim që agjencia franceze e lajmeve AFP pati, u bë e ditur se trupat azere patën kërkuar inkursion në Armeni. Megjithatë, sërish nuk u bë publike shkalla në të cilën ky inkursion po ndërmerrej, ose suksesi i tij.

Nagorno-Karabakh-u është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por ka qenë nën okupimin e separatistëve armenë për 30 vite.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, që nga viti 1991 kanë qenë të tensionuara, pasi ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakh-ut, i njohur ndërkombëtarisht si një territor azerbajxhanas.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Nagorno-Karabakh: Konflikti ende i pazgjidhur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore