Lajme

Rusia është fajtore për krime kundër njerëzimit në Kherson, thotë Zelensky


Mbi 400 krime lufte janë kryer ndaj qytetarëve të rajonit të Khersonit prej forcave ruse, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka folur pas rimarrjes së pikës kyçe në rajonin jugor të vendit, gjë që erdhi pas një tërheqjeje ruse nga pjesa perëndimore e lumit Dniepro.

Në atë çfarë thotë Zelensky, trupa të tjerë qytetarësh dhe ushtarësh të vdekur janë gjetur në Kherson, në skenarë të ngjashëm si ato në Bucha më parë, ku qindra persona u gjetën në varre masive, shpesh edhe me shenja torturash në trup.

Për këtë arsye, gjatë natës është vendosur një orë policore, në mënyrë që autoritetet të punojnë lirisht në mbledhjen e fakteve të asaj çfarë vërtetë mund të ketë ndodhur në rajonin jugor.

“Do të gjejmë çdo autor të kësaj masakre dhe do ta sjellim përpara drejtësisë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë gjë”, deklaroi Zelensky në videomesazhin e tij për publikun.

Ngjarjet kryesore të tilla, lidhen me zonat e Bucha-s, Izyum-it dhe Mariupol-it, ku ka të dhëna qenësore se krime lufte kanë ndodhur nga ana e forcave ruse.

Për këtë arsye, ekspertë janë dërguar edhe nga Kombet e Bashkuara, për të kryer hetime të pavarura dhe për t’i paraqitur ato në strukturat e posaçme.

Khersoni ka qenë ndër të parët rajone të uzurpuar nga Moska, që prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Megjithatë, një kundërofensivë e javëve të fundit nga ana e Kievit dhe afrimi me qytetin kryesor, bëri që Kremlini të vendoste tërheqjen e trupave nga Khersoni dhe stabilizimin e tyre në pjesën lindore të lumit Dniepro, i cili e ndan në mes zonën.

Prej ukrainasve, çlirimi i qytetit të madh u pa si një ngjarje historike dhe sipas ekspertëve perëndimorë, kjo ngjarje mund të jetë përcaktuese për fatin e luftës.

Ndërsa, nga ana e palës ruse, largimi u argumentua si i nevojshëm, pasi kishte vështirësi në shpërndarjen e ushqimeve dhe armatimeve në zonë, duke vënë në rrezik personelin ushtarak aty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore