Lajme

Rusia dyfishon fitimet nga fosilet, Gjermania importuesi kryesor


Që pas mësymjes në Ukrainë më 24 shkurt 2022, Rusia i ka dyfishuar fitimet e saj nga industria fosile, ku në dy muaj ka marrë rreth 62 miliardë euro nga eksportet e naftës, gazit dhe qymyrit, me Gjermaninë importuesen kryesore në këtë kohë.

Nga radhët e Bashkimit Evropian, shpenzimet për fosilet ruse kanë qenë në rendin e 44 miliardë eurove në vetëm dy muaj, krahasuar me 140 miliardë euro, që ka qenë në tërësi shpenzimi për vitin 2021.

Këtë fakt e ka zbuluar një analizë, e cila merr parasysh të dhënat e dërgesave dhe është ndërmarrë nga Qendra për Kërkim mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër.

Mbi këtë premisë, tregohet qartësisht se si Rusia ka vijuar të fitojë shumë nga imponimi që i ka vendosur Evropës sa i përket furnizimit me energji.

E gjithë kjo madje, ndodhi edhe pasi gjithë liderët e kontinentit, e kërcënuan Vladimir Putinin se do ta ndalojnë t’i përdorë naftën dhe gazin si një “armë lufte”.

Është e vërtetë gjithsesi se ka një rënie të eksporteve ruse në javët e para të prillit, duke parë edhe shtimin e sanksioneve të Perëndimit.

Pavarësisht kësaj, Gjermania mbetet importuesja kryesore dhe zërin më të madh e zë pikërisht gazi rus.

Italia e ndjek menjëherë pas, me Holandën të tretën në kontinent për importin në tërësi. Por, të parën për importin e naftës.

Kina nga ana tjetër mban një rekord absolut të importit të naftës ruse, me një ndryshore thuajse dyfish nga vendi i dytë, që është Holanda, sa i përket arit të zi.

Vlera tërësore e fitimeve vetëm nga importet gjermane të fosileve, për Rusinë arrijnë në mbi 9 miliardë euro. Italia harxhon diku te 7 miliardë, ndërsa Holanda diçka më pak se 6 miliardë.

Një element tjetër kyç i gjithë situatës është edhe ndalimi që Gazprom mund t’i bëjë furnizimit me gaz të kontinentit evropian.

Dy “viktimat” e para kanë qenë Polonia dhe Bullgaria, të cilave u është ndërprerë linja.

Evropa ka premtuar ndihmë për këto vende, por me ndikimin e madh rus ende të pranishëm, situata duket e vështirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore