Rusia ankohet për mos-lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë: Perëndimi nxit ndjenjat anti-serbe të kosovarëve

SHFLETO

Maria Zakharova

 

Armat Matoshi
29.11.2023 10:34
Loading Icons...

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, derisa ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të pamundësuar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovë, ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), janë duke nxitur ndjenja anti-serbe të shqiptarëve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse Serbia është e interesuar, duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë ndërshtetërore në mënyrë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale të Serbisë që janë planifikuar për në dhjetor të këtij viti.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën, zëdhënësja ruse ka pretenduar se autoritetet kosovare kanë shkelur rëndë të drejtat e serbëve lokalë duke mos i lejuar të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, ndërsa ka vlerësuar se ky rast paraqet “sulm tjetër” ndaj praktikës së deritanishme të votimit të serbëve nën patronazhin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Propozimi për të lidhur një marrëveshje ndërshtetërore për këtë duket një tallje. Ai vazhdon shantazhet cinike me qëllim që Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës. Ky është një sulm tjetër ndaj praktikës së deritanishme të votimit të serbëve nën patronazhin e OKB-së në Kosovë”, ka thënë ajo.

“Përderisa SHBA-të dhe BE-ja në çdo hap paraqiten si mbrojtëse të standardeve demokratike, në këtë rast kanë mbyllur sytë para shkeljeve të të drejtave themelore të serbëve të Kosovës. Ata thjesht nuk duan të përfshihen në këtë, duke i inkurajuar kosovarët në një serbofobi edhe më agresive”.

Qeveria e Serbisë nuk ka pranuar të bëjë kërkesë për një marrëveshje ndërshtetërore sipas kushteve të Qeverisë së Kosovës mbi arsyetimin se një marrëveshje e tillë do të përbënte automatikisht njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.

Dorëzohet Serbia: Zgjedhjet nuk mund të organizohen në Kosovë