Sport

Rudi Garcia: Kim u largua, por e kemi Rrahmanin


Trajneri i Napolit, Rudi Garcia, ka folur rreth skuadrës së tij, duke këmbëngulur se ata janë të kompletuar që të konkurrojnë për titull kampion edhe për sezonin e ardhshëm.

Ai foli rreth të ardhmes së sulmuesit të tyre, Victor Osimhen, i cili është një ndër më të përfolurit në këtë afat kalimtar të verës, derisa shtoi disa fjalë edhe për repartin e mbrojtjes, nga i cili u largua një nga futbollistët më të rëndësishëm, Kim Min-Jae.

Jug-koreani do të bashkohet me Bayern Munich-un në ditët e ardhshme, një mbrojtës cilësor që së bashku me kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmanin, ishin “të pakalueshëm” gjatë sezonit të kaluar kur Napoli ishte një ndër ekipet me futbollin më të mirë në Evropë.

Garcia tha se Kim po largohet, por në mbrojtje ata kanë ende lojtarë të fortë, duke përmendur Rrahmanin, i cili shtoi se nuk do të largohet nga ekipi.

“Kim u largua, por ne kemi Amir Rrahmanin, Juan Jesus-in dhe Leo Ostigard-in, të cilët janë lojtarë të shkëlqyer”, tha Rudi Garcia.

“Ata janë këtu dhe nuk do të largohen. Nëse mund të gjejmë një lojtar të ri me cilësinë e titullarit, është mirë, nëse jo, unë tashmë kam tre mbrojtës cilësorë”.

Osimhen do të arrijë sot (e marte) në Dimaro dhe është në bisedime për të nënshkruar kontratë të re me klubin.

“Ai është nën kontratë,  të martën do të arrijë me të tjerët”, shtoi trajneri francez.

“Kur fola me Aurelio De Laurentiis, pashë se kishim të njëjtën ambicie. Ai bëri gjëra të mëdha sezonin e kaluar dhe nuk dëshiron të ndalet”.

“Do të kemi një ekip cilësor. Më pëlqen logjika, nëse një ekip luan mirë, ka më shumë shanse për të fituar dhe këtë duam të bëjmë”, tha mes tjerash Rudi Garcia.

Kujtojmë që Napoli do ta nisë kampionatin më 19 gusht, ku ndeshjen e parë do të luajë në udhëtim te Frosinone.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore