Rubin: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë njohjen reciproke

SHFLETO

James Rubin

 

Armat Matoshi
20.06.2024 18:53
Loading Icons...

James Rubin, emisar i posaçëm dhe koordinator i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), në një intervistë për “Zërin e Amerikës” të enjten, potencoi se qëllimi final i dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke.

“Kosova dhe Serbia kanë probleme – problemet duhet të zgjidhen. Ato duhet të normalizojnë marrëdhëniet […] Me rëndësi është cili është qëndrimi ynë dhe qëndrimi ynë është të propozojmë që normalizimi të përfshijë njohjen e ndërsjellë të të dy vendeve”, deklaroi diplomati i lartë amerikan.

Kështu u përgjigj Rubini kur u pyet për deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili në një intervistë për revistën e përjavshme serbe “NIN” javën e kaluar, vlerësoi se Serbisë pro-ruse nuk do t’i kërkohet njohja de jure e Kosovës për t’u bërë anëtare e bllokut evropian.

Megjithatë, zyrtari i lartë i diplomacisë amerikane nënvizoi se është vështirë të imagjinohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje. Ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojnë me njohje reciproke.

“S’do të dëshiroja të futesha në mes të dy ambasadorëve, por qëndrimi amerikan është që qëllimi afatgjatë i normalizimit nënkupton njohje. Është vështirë të imagjinosh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje… Prandaj pikëpamjet e ambasadorëve amerikanë se çka mendon BE-ja nuk janë të rëndësishme”, u shpreh ai.

Rubini komentoi edhe krisjen dhe acarimin në marrëdhëniet midis Kosovës dhe SHBA-së. Në aspektin diplomatik, shtoi ai, marrëdhëniet ndërshtetërore “nuk janë aktualisht aq të mira” për shkak të refuzimit të qeverisë aktuale nën drejtimin e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Qartazi ka shqetësime për mënyrën se si qeveria aktuale ka vepruar në aspektin diplomatik duke mos përmbushur (kërkesën) për krijimin e asociacionit. Por, thënë troç, jemi miq, jemi miq të mirë… populli i Kosovës dhe populli i Shteteve të Bashkuara nuk ka si të jenë më të afërt dhe nuk mendoj se ka dilemë rreth kësaj çështjeje”, shtoi Rubini.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve vitin e kaluar. Megjithatë, kjo marrëveshje s’e përfshinë njohjen reciproke mes dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore, që përkthehet si njohje de facto.

Diplomatët e SHBA-së në “konfuzion” për dialogun Kosovë-Serbi