Lajme

Rrustemi: Vuçiç njihet personalisht me kokat e grupit terrorist që sulmuan në Banjë


Adnan Rrustemi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka publikuar një video ku një grup serbësh shihen teksa bisedojnë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç duke thënë se ai njihet me personalisht me kokat e grupit terrorist që sulmuan në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Rrustemi ka thënë se ndër ta ishte edhe Vladimir Radojeviç.

“Vuçiç njihet personalisht me kokat e grupit terrorist që kreu sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Me 13 tetor 2021, disa serbë kishin shkruar t’i rrëfeheshin Vuçiç-it për kinse terrorin që Qeveria e Kosovës po i bënte atyre. Ndër ta që u rrëfyen ishte edhe Vladimir Radojeviç i njohur me nofkën ‘Mami’”.

Radojeviç, pjesë e organizatave që Kosova i ka shpallur terroriste, i ishte gjetur telefoni në vendi ku është iniciuar aktivizimi i minës, nga e cila është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kanë konfirmuar se kanë kërkuar bashkëpunim nga disa shtete të rajonit në lidhje me hetimet për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Për sulmin terrorist më 24 shtator, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë, derisa Milan Radojiçiç, person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mori përgjegjësinë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist në Banjë, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë, por edhe bashkëpunim pa kushte në këtë proces nga ana e Serbisë.

Kosova ka kërkuar nga BE-ja që për shkak të këtij sulmi, Serbisë t’i vendosen sanksione, mirëpo për një gjë të tillë nga Unioni kanë theksuar se do të vendosin pasi që të përfundojnë hetimet.

Nga ana tjetër Serbia nuk është distancuar fare nga kjo ngjarje, përkundrazi, ka shpallu ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore