Kulturë

Rrugëtimi i Motrave Qiriazi në vitet ’30 (pjesa e fundit)


Çoba ishte një grua ndryshe nga brezi i saj. Lindur në një familje mendimtarësh rilindas shqiptarë, Shirokat katolikë të Shkodrës, Shaqe Marie Çoba kishte një arsimim të plotë: shkollimi fillor dhe i ulët në Shkodër, shkolla e mesme në një manastir austriak në Zagreb, dhe së fundmi universitetin në Venecia, ku ajo studioi pedagogji.

Duke përshkruar cilësitë dhe detyrat e një gruaje shqiptare, revista Çoba ftonte njerëzit për t’u dhënë mbështetje më të madhe platformës së saj. Një shkrimtare me pseudonimin “Gruaja Shkodrane” shkruante mbi kuptimin e feminizmit.

“Gruaja Shqiptare”

Feminizmi ishte një temë, mbi të cilën gazetat shqipe po shkruanin shumë kohët e fundit. “Ne gratë kemi qëndruar larg debateve”, shkroi ajo, “duke pritur ndoshta që nga turpi, njerëzit do të pranonin të drejtat tona, tanimë po arrijmë në përfundimin se shumica dërrmuese e tyre nuk i është lënë të kuptohet ose thjesht nuk dëshirojnë të kuptojnë se këto të drejta burojnë nga natyra dhe ligjet e Zotit”.

Duke ofruar perspektivën që gratë shqiptare, në përgjithësi, ishin mbajtur si “skllavet e burrave” ajo shpjegoi se, “feminizmi kishte të bënte me promovimin e civilizimit, një lartësim shoqëror që buron nga lëvizja intelektuale”.

Feminizmi i vërtetë, paralajmëroi ajo, nuk kishte të bënte me veshjen moderne apo kredhjes në vallëzim dhe argëtim.

Duke u kërkuar burrave lirinë, nderin dhe respektin e saj, “Gruaja Shqiptare” do të veprojë sipas bazave të së njëjtës mençuri dhe fisnikërie të palëkundur “të cilat gjithmonë kanë mbajtur të pamposhtur karakterin dhe moralin e popullit tonë”.

Gratë, përfundoi ajo, janë mjeti i parë dhe më i nevojshëm për të mbjellë atë lloj civilizimi me mençuri universale dhe nderin e familjeve, nga ku ndërtohet shoqëria njerëzore.

Në Tiranë, motrat Qiriazi ndërkohë, ndërtuan dhe drejtuan qendrën kryesore të të mësuarit për gratë e reja. E mrekullueshme për këto forma dhe struktura të shprehjes femërore ishte se ato ishin krejt spontane, pa imponime ideologjike.

Kur erdhi koha për t’i demonstruar shoqërisë se politika kishte rëndësi për to, ato e bënë. Me gjithë pengesat me të cilat u përballën në botim, gratë aktiviste treguan se mund të mobilizoheshin edhe në rrugë.

Mundësia e tyre më e madhe erdhi në një moment revolucioni politik. Në fillim të prillit 1924, gratë në Tiranë dhe Vlorë dolën në rrugë në protestë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Ahmet Zog, i dyshuar gjerësisht se qëndronte pas vrasjes së Avni Rustemit, një radikali të ri nacionalist, vdekja e të cilit provokoi demonstrata në të gjithë vendin dhe zemërimin e opozitës politike.

“Shqiptarja” në nivel kombëtar

Pas Revolucionit, gratë aktiviste në Korçë dhe Gjirokastër bënë kërkesë që qeveria të lejonte shoqatat e tyre që të rifillonin aktivitetin. Presidenti Zog premtoi se do ta bënte, por nga situata e fundit ruajti një qasje të kujdesshme. Ai dhe një prej këshilltarëve të tij mbi këto çështje, Mehdi Frashëri, kishin frikë se kjo mund të ngrinte kërkesa politike mbi të drejtat.

Duke pasur parasysh zhvillimin e ulët kulturor të Shqipërisë, ata argumentuan se kjo ishte momentalisht jashtë planeve të zhvillimit të brendshëm të vendit dhe do të ishte më mirë të vonohej hyrja e “ideve të caktuara të huaja sa më shumë që të ishte e mundur”.

E njëjta gjë ishte e qartë për burokratët dhe reformatorët shoqërorë që donin të mbanin linjat e hapura të komunikimit me gratë. Ndërsa mendonin për legjislacionin e ri që do të përfshihej në Kodin Civil, ata kuptuan se gratë aktiviste mund të bëheshin aleate në procesin e shpërndarjes së tij në shoqërinë shqiptare.

Shqiptarja nismëtoi edukimin e shoqërisë duke mbajtur: konferenca mbi higjienën, bamirësinë, industrinë, artet dhe bashkëpunimin me Kryqin e Kuq në kohëra lufte dhe katastrofash natyrore.

Sidoqoftë, një analizë e kujdesshme e revistës zyrtare tregon se ata aktivistë, të cilët dëshironin të bënin me dije pikëpamjet e tyre të ndryshme në lidhje me potencialin e gruas shqiptare, gjetën mënyra për t’ia komunikuar ato shtypit.

Shqiptarja (Gruaja Shqiptare) konsiderohej një revistë familjare dhe, ndërsa u përmbahej parimeve të përshkruara në statut, ajo gjithashtu i sfidonte me këmbëngulje ato.

Në shumë mënyra, Shqiptarja ndoqi modelet dhe temat e dallueshme në ato botime të mëparshme. Edhe siç u sanksionua zyrtarisht, shumë kontribute, si nga burrat ashtu edhe nga gratë, vazhduan të mbanin pseudonime.

Në një pjesë, kjo ndoshta korrespondonte me frikën nga censura e grave aktiviste që kishin shtrirë kufijtë në 1924.

Në vitin e saj të dytë, shoqëria u zgjerua në shkallë kombëtare, hapi zyrën e saj, dhe ndoshta e ndërlikoi më tej botimin e saj, duke zëvendësuar Emine Toptanin si redaktore me Mihal Sherkon (mashkull), i cili sipas raporteve të mëvonshme, ishte “një oportunist inteligjent dhe një burokrat xheloz joefikas”.

Pavarësisht mungesës së informacionit për pjesën më të madhe të stafit, veçanërisht gratë, duket se kjo strukturë përfaqësonte një kompromis të zbatuar midis të gjitha palëve. Qiriazi ka shumë të ngjarë të ishte gruaja e vetme zyrtarisht me arsim universitar dhe përvojë të madhe në aktivizëm. Ajo u shpërblye duke qenë se ajo drejtonte shoqatën dhe botimin e saj.

Edicioni i parë i saj u hap me një fragment të përkthyer të Robert Ingersoll nga fjalimi i vitit 1877, “Liria e burrit, gruas dhe fëmijës”, konkretisht seksioni “Liria e Gruas”.

“Të drejtat e burrave dhe grave duhet të jenë të barabarta dhe të shenjta; martesat duhet të çojnë në harmoni – fëmijët duhet të rriten me mëshirë – secili fëmijë duhet të jetë një shtet, dhe secila vatër një Demokraci”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore