
Një pjesë e rrugës “Salisbury” në Worcester të SHBA-ve, do të marrë emërtimin e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Ka qenë ky vendimi unanim i këshilltarëve të bashkisë së qytetit amerikan, për të vendosur mbi këtë çështje, duke e lartësuar dhe nderuar kështu emrin e heroit shqiptar.
Një kishë ortodokse shqiptare në Worcester, të shtetit të Massachusetts, e cila quhet kisha e “Shën Marisë”, gjendet po ashtu aty, për t’i shërbyer komunitetit shqiptar. ,
Sipas përfaqësuesve të kishës, ky është thjesht fillimi i njohjes së trashëgimisë shqiptare në atë zonë, pasi rreth 20 mijë banorë, të cilët jetojnë në Worcester, janë me origjinë shqiptare.
Kjo përbën rreth 10% të popullsisë në atë zonë.
“Kjo mbart një domethënie të veçantë për ne dhe një nderim që ky qytet na bën, jo thjesht ne si shqiptarë, por të gjithë”, bëri me dije pas vendimin Frank Zdruli, një anëtar i kishës.
Teksa, Mark Doku, prift pranë institucionit fetar, tha se kudo të shkosh në zonë, nga supermarketet, apo dyqane të tjera, dëgjon të flitet shqip aty. Fakt, i cili tregon se komuniteti shqiptar në Worcester është në rritje.
Zyrtarisht, emri honorifik i rrugës nuk e ndryshon atë aktual, i cili është “Salisbury Street”, apo të sinjalizimeve dhe tabelave aktuale rrugore.
Ajo ka vetëm qëllim simbolik, për të reflektuar harmoninë komunitare.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com