Pajisje

Rrjeti rus i spiunazhit kontrabandon teknologji të ndjeshme të BE-së paçka sanksioneve


Një rrjet rus spiunazhi ka blerë teknologji të ndjeshme nga kompanitë e BE-së për të nxitur luftën e Vladimir Putin-it në Ukrainë.

Kjo paçka një goditjeje të udhëhequr nga SHBA-të ndaj rrjetit të fshehtë të kontrabandës.

Rrjeti – i krijuar për të blerë mallra që variojnë nga mikroçipet deri te municionet – ka arritur të marrë vegla makinerish nga Gjermania dhe Finlanda pavarësisht sanksioneve të SHBA-ve të vendosura në mars 2022.

Të paktën kështu ka gjetur një hetim i zhvilluar nga “Financial Times”.

Aftësia e vazhdueshme e qelisë së prokurimit për të operuar në Evropë ilustron sfidat me të cilat përballen qeveritë perëndimore teksa përpiqen të mbysin furnizimin e teknologjisë kritike për kompleksin ushtarak-industrial të Rusisë.

Rrjeti Serniya është akuzuar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve se ka punuar në “aktivitete prokurimi shumë të ndjeshme dhe të klasifikuara” në emër të agjencisë ruse të spiunazhit FSB, duke përfshirë edhe Drejtorinë e saj për Inteligjencën Shkencore dhe Teknologjike, e njohur si “Drejtoria T”. .

Klientë të tjerë përfshijnë Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Kremlinit, i njohur si SVR; konglomerati i mbrojtjes në pronësi shtetërore Rostec; Ministria e Mbrojtjes e Rusisë; dhe Rosatom, kompania shtetërore e energjisë atomike përgjegjëse për arsenalin bërthamor të vendit.

“Financial Times” ka gjetur se një kompani ruse, e kontrolluar nga i njëjti person që kontrollon një ent të rrjetit Serniya të përshkruar nga SHBA si “të angazhuar në aktivitete të përhapjes në drejtimin e shërbimeve të inteligjencës ruse”, ka vazhduar të blejë artikuj nga kompani brenda BE-së.

Të dhënat e korporatave, deklaratat e importit dhe intervistat zbulojnë se Trading House Treydtuls, e regjistruar në një adresë në një pronë industriale në veri të Moskës, ka blerë 900 mijë dollarë materiale që nga fillimi i luftës në Ukrainë, duke përfshirë mikroçipa dhe artikuj për prodhim industrial, kryesisht nga BE-ja.

Treydtuls është i regjistruar në të njëjtën adresë si Robin Trade, pjesë e rrjetit Serniya, dhe në pronësi të të njëjtit person, një shtetas rus i quajtur Alexey Zibyrov.

Një zyrtar perëndimor konfirmoi se Zibyrov, i cili nuk është përmendur apo akuzuar nga autoritetet amerikane, konsiderohet të jetë një person “me interes” për lidhjet e tij me FSB-në.

Të dhënat doganore të disponueshme, të vërtetuara me të dhënat e importit të ndara me “Financial Times” nga Maxim Mironov, një profesor finance, tregojnë se Robin Trade zhvendosi 12.2 milionë dollarë mallra në Rusi deri në prill 2022 përpara se të ardhurat të binin me 90 për qind pas vendosjes së sanksioneve.

Teksa pjesët e tjera të rrjetit pushuan aktivitetin e tyre të blerjes pas sanksioneve, Treydtuls filloi të importonte vegla makinerish nga një kompani në Gjermani.

Të dhënat doganore tregojnë se Treydtuls sollën 22 ton pajisje nga Gjermania në Rusi, me një vlerë të deklaruar prej 554 mijë dollarë, deri në fund të vitit 2022.

Po ashtu të dhënat tregojnë se Treydtuls bleu njëkohësisht 253 mijë dollarë pllaka të qarkut të integruar nga një kompani e vogël në Singapor. Artikujt janë prodhuar nga grupet amerikane të gjysmëpërçuesve Analog Devices, Texas Instruments dhe Altera dhe kompania gjermane IC-Haus.

Të gjitha këto kompani kanë ndërprerë eksportet në Rusi, duke rritur nevojën që entet shtetërore dhe ushtarake ruse të marrin pajisje elektronike të avancuara nga vendet e treta.

Treydtuls gjithashtu mori 3 mijë e 700 dollarë disqe të përforcuar bluarjeje dhe prerjeje nga një kompani në Finlandë. Këto artikuj janë të kufizuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar që të eksportohen në Rusi, Korenë e Veriut dhe Iran, por nuk janë të ndaluara nga BE-ja.

Sakaq, nuk ka asnjë provë që sugjeron se kompanitë evropiane ishin në dijeni se kishin të bënin me një kompani të lidhur me inteligjencën ruse.

Sigurimi i pajisjeve të avancuara elektronike dhe makinerive është thelbësore për Rusinë për të ruajtur kompleksin e saj ushtarako-industrial.

Një raport i Qendrës për një Siguri të Re Amerikane tetorin e kaluar ka nxjerrë se Rusia po i kthehej “importeve gri nëpërmjet tregut të zi ose përmes një zinxhiri kompanish të krijuara për të fshehur përdoruesin përfundimtar”. Këto janë të ngjashme me programet e kontrabandës të drejtuara nga Koreja e Veriut dhe Irani, të cilat janë gjithashtu nën sanksione të gjera të SHBA-ve.

Email-et e përgjuara nga autoritetet amerikane dhe të përfshira në aktakuzën e Departamentit të Drejtësisë, treguan se si në gusht 2020 një kompani në rrjetin e prokurimit kishte marrë një rinovim të licencës së saj nga FSB, duke e lejuar atë për të “kryer punë në lidhje me përdorimin e informacionit që përbën një sekret shtetëror deri në nivelin top-sekret”.

Në dhjetor departamenti akuzoi pesë shtetas rusë të lidhur me Serniya për komplot për të blerë teknologji të nivelit ushtarak dhe me përdorim të dyfishtë për kompanitë ruse të mbrojtjes.

Midis tyre ishte Vadim Konoshchenok, i cili dyshohet se ishte një kolonel i FSB-së dhe u arrestua nga rojet kufitare estoneze pasi u përpoq të kalonte në Rusi me pajisje elektronike, mikroçipa dhe municione të prodhuara nga SHBA-të.

Disa nga aktivitetet e kontrabandës së rrjetit përfshinin teknologji që SHBA-të thanë se mund të përdoreshin për të zhvilluar armë hipersonike.

Teksa Treydtuls deri më tani i ka shmangur sanksionet perëndimore, lidhjet e shumta me rrjetin e paditur FSB ishin të dukshme përmes marrëdhënieve tregtare përpara pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, duke ngritur pyetje të mëtejshme se si është lejuar të vazhdojë të blejë artikuj nga brenda BE-së.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2019 Treydtuls importoi artikuj nga dy kompani të inkorporuara në Mbretërinë e Bashkuar, Majory LLP dhe Photon Pro LLP, të regjistruara në zyrat në zonën Shoreditch të Londrës. Të dy u goditën me sanksione nga SHBA-të vitin e kaluar për shërbimin si kompani para në rrjetin FSB.

Një nga dy drejtorët e Photon Pro, sipas dosjeve të saj të korporatës në Mbretërinë e Bashkuar, është një shtetas rus i quajtur Yevgeniy Alexandrovich Grinin, i cili dhjetorin e kaluar u padit nga SHBA-të, por mbetet i lirë dhe kërkohet nga FBI-ja.

Major LLP, derisa u shpërbë në shkurt, kontrollohej nga Andrey Georgiyevich Zakharov, të cilin SHBA-të e kanë akuzuar për drejtimin e kompanive të para për të importuar teknologji të ndjeshme në kundërshtim me sanksionet perëndimore.

Treydtuls është gjithashtu e regjistruar në të njëjtën adresë në Moskë si një kompani teknologjike në bashkëpronësi të Zakharov, NTS Wellink, sipas të dhënave të kompanisë ruse. Wellink ka marrë pjesë në tenderët e qeverisë ruse për entitete shumë të ndjeshme të kontrolluara nga shteti, duke përfshirë Shërbimin Mbrojtës Federal që është përgjegjës për sigurinë personale të Putin-it.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore