Shqipëria

Rrjeti për Politikë të Jashtme Feministe dënon shkeljet e të drejtave të grave në Afganistan


Rrjeti për Politikë të Jashtme Feministe (FPP), ku bën pjesë edhe Shqipëria, përmes një deklarate dënon shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, ndaj grave dhe vajzave në Afganistan.

Po ashtu bën thirrje që t’i jepet fund persekutimit sistematik gjinor.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të FPP-së u mblodhën gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku theksuan se shkelja e të drejtave të njeriut në Afganistan mund të në krime kundër njerëzimit.

Shqipëria sakaq u përfaqësua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

“Sot, në Konferencën e Sigurisë të Mynihut 2024, ne, Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Andorës, Belgjikës, Bullgarisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Kosovës, Lihtenshtajnit, Mongolisë, Holandës dhe Rumanisë shprehim shqetësimin tonë më të thellë për shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, ndaj grave dhe vajzave në Afganistan, dhe u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse që t’i japin fund persekutimit sistematik gjinor, i cili mund të çojë në krime kundër njerëzimit. Këtu përmendim edhe valën e fundit të ndalimeve të grave dhe vajzave në Afganistan nga talebanët”.

Ndërkohë, ministrat kërkojnë lirimin e tyre të menjëhershëm dhe rikonfirmojnë angazhimin e palëkundur ndaj të drejtave themelore të grave dhe vajzave në Afganistan.

“Që nga takimi ynë i fundit në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në vitin 2023, talebanët nuk kanë bërë asnjë përparim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Afganistan, veçanërisht të drejtat themelore të grave dhe vajzave në të gjithë diversitetin e tyre, përkundrazi: Talebanët janë përgjegjës për një nga situatat më të rënda dhe më të tmerrshme të të drejtave të njeriut në mbarë botën”, vijon deklarata e tyre.

Sipas tyre, duke eliminuar gjysmën e popullsisë afgane nga jeta publike dhe vendimmarrja politike, ata kanë vënë në rrezik të ardhmen e Afganistanit.

“Ndalimi i arsimit të mesëm dhe universitar për vajzat dhe gratë, si dhe ndalimi i grave që punojnë në OJF dhe organizata të OKB-së janë shembuj konkretë për diskriminimin sistemik dhe sistematik. Rregullat e rrepta, të cilat cwnojnë lirinë e lëvizjes së grave dhe përjashtojnë gratë dhe vajzat nga hapësirat publike, ndalimet arbitrare të grave dhe rastet e martesave të detyruara, janë një mohim i hapur i të drejtave themelore të grave dhe vajzave”.

Ministrat përfaqësues u drejtojnë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar, në veçanti ligjin për të drejtat e njeriut, të mbrojnë të drejtat themelore të të gjithë afganëve, duke përfshirë pakicat etnike dhe fetare, dhe të revokojnë të gjitha vendimet që kufizojnë të drejtat themelore të grave dhe vajzave në një formë të tillë, që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore