Lajme

Rrjedhja e gazit në Nord Stream 2 ishte sabotazh, konfirmon prokurori suedez


Një prokuror suedez e ka konfirmuar zyrtarisht se gazsjellësi Nord Stream 2 është dëmtuar qëllimisht me një seri shpërthimesh në shtator, duke shkaktuar edhe rrjedhje gazi të shumta në detin Baltik, në afërsi të Danimarkës.

Sipas hetimit të prokurorit, në këtë rast kemi të bëjmë me “një sabotazh shumë serioz”, duke dëshmuar edhe se të gjitha shpërthimet e ndodhura janë të dokumentuara.

Megjithatë, nuk ka akuza zyrtare kundrejt asnjë shteti, pavarësisht se hamendësohet autorësia e Rusisë në këtë çështje.

Gazsjellësi Nord Stream 2, ishte parashikuar si projekti më i madh gazsjellës, si linjë direkte nga Rusia drejt Gjermanisë.

Por, me pushtimin e Ukrainës nga ana e Moskës më 24 shkurt 2022, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e pezulloi menjëherë projektin, në fazë përfundimtare.

Dëmet në linjë, mendohet se janë tashmë të pariparueshme, edhe pse projekti, në kushtet aktuale, duket se nuk do të vihet në zbatim ndonjëherë, për të sjellë gaz, parë edhe marrëveshjen e fundit mes Berlinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, për furnizim me gaz të lëngshëm.

Rusia nga ana tjetër, ka pretenduar më parë se është Britania e Madhe, ajo e cila qëndron pas sulmit në Nord Stream.

Gjë kjo, që nga Londra, është hedhur poshtë menjëherë.

Teksa, përgjigja përfundimtare mbi autorësinë, ende pritet nga Prokuria Suedeze.

Hetimi për ‘Nord Stream’, teston bashkëpunimin mes shteteve të Bashkimit Evropian

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore