Lajme

Rritja ekonomike 7.9%, as afër realitetit


Rritja ekonomike prej 7.9 përqind nuk është e paarritshme, deklaroi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke marrë për bazë, sipas tij, premisat e Bankës Botërore.

Deri tani, Kosova ka pasur rritje ekonomike mes katër dhe pesë përqind dhe nuk ka arritur asnjëherë që shifra e rritjes ekonomike ta kalojë 6 përqindëshin.

Prandaj, premtimin e ministrit Murati e kanë cilësuar të paaritshëm disa ekonomistë kosovarë. Ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e ka quajtur “premtim pompoz” i ministrit, që nuk i bën nder realitetit aktual.

Madje, ai ka vlerësuar se një shkallë e tillë e rritjes ekonomike është e paarritshme, përtej rritjes së të hyrave nga Dogana e Kosovës dhe ATK-ja. Të njëjtin vlerësim e ka edhe kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini. Ai thekson se do të ishte i kënaqur nëse rritja ekonomike vjetore do të ishte tek 4 përqindëshi.

Ndërkaq, eksperti i financave, Astrit Ratkoceri, ka nënvizuar se nuk mund të mbështetet e gjithë analiza për rritje ekonomike mbi premisën e vetme të rritjes së konsumit.

“Përveç kësaj neve na duhen investime nga jashtë, rënie e nivelit të papunësisë në kuptimin e vendeve të reja të punës dhe jo vetëm të legalizimit të punëtorëve të pa legalizuar, rritje të eksportit etj”, nënvizon ai.

Edhe Ratkoceri vlerëson se përkundër rritjes së të hyrave nga dy burimet kryesore, Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore, rritja në ato shifra është e vështirë. Dhe, veçanërisht në momentin që flasim – për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia.

“Duke pasur parasysh gjendjen dhe hapat e zbehtë të marrë nga qeveritë tona për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve për ta kaluar këtë krizë, rritja ekonomike prej 7.9% nuk është asgjë më shumë sesa një dëshirë”, thekson Ratkoceri.

“Kosova për këtë vit mund të ketë një trendë të rritjes prej 3.5 për qind – 4.1 për qind, këto që parashihen edhe për vendet e rajonit”.

Edhe, kryetari i AKB-së, Shahini ka të njëjtat kritika në raport me sjelljen e qeverive në periudhën e pandemisë, ndaj nuk vlerëson se rritja ekonomike mund të shkojë në 5 përqind madje.

“Do të ishim shumë të lumtur nëse kjo do të ishte realitet dhe nuk besoj që kjo është e arritshme, e dëshirueshme po, e pritshme nga qytetarët sepse ka pasur premtime të mëdha”.

“Por, nisur nga të gjitha premisat aktuale ne nuk mund të shkojmë me rritje ekonomike më shumë se 4 për qind deri në 4.5 për qind maksimalisht”.

Nëse iu referohemi të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), në vitin pandemik u hapën 12 mijë biznese të reja, 1 mijë e 500 më shumë se sa në vitin paraprak.

Shahini tregon se shumica e këtyre bizneseve u hapën nga persona që paraprakisht e humbën vendin e tyre të punës, meqë ishin të angazhuar në industri të cilat u dëmtuan nga masat kufizuese – kryesisht në gastronomi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore