Shqipëria

Rritja e Shqipërisë kërkon një model më të fortë dhe të qëndrueshëm ekonomik, thotë Banka Botërore


Modeli ekonomik i Shqipërisë kërkon një investim më të madh në aftësitë e njerëzve, produktivitetit të qëndrueshëm dhe financave publike.

Është ky qëndrimi i Bankës Botërore për Shqipërinë, në raportin e fundit të Memorandumit Ekonomik për Shtetet.

Sipas të dhënave, ekonomia e Tiranës zyrtare është prekur së tepërmi nga dy ngjarje madhore: Tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia e COVID-19.

Këto sfida janë tejkaluar dhe tashmë, vendi, ka nevojë të përqendrohet në objektivat afatgjata ekonomike. Ato përfshijnë ndërtimin e një rritjeje të qëndrueshme dhe ndërtimin e një modeli për të përmirësuar standardin e jetës së qytetarëve.

Kështu, duke ndihmuar njerëzit me aftësi dhe talent të qëndrojnë në Shqipëri dhe të mos zgjedhin rrugën e emigrimit.

“Nëpërmjet këtij raporti, ne ndërmarrim një analizë të re, për sa i përket zhvillimeve dhe sfidave që ka Shqipëria”, tha Emanuel Salinas, menaxheri i Bankës Botërore në Shqipëri. “Ne përmbledhim implementimin e reformave dhe progresin e arritur. Po ashtu, japim disa rekomandime kyç, të cilat mund ta ndihmojnë Shqipërinë të jetë më stabël, elastike dhe gjithëpërfshirëse në ekonomi”.

Sipas Salinas, një prej aspekteve kryesore të rekomandimeve, ku edhe BB-ja përqendrohet, është nxitja e iniciativave të cilat kanë impakt direkt në produktivitetin jetësor të njerëzve dhe në krijimin e vendeve më të mira të punës.

Investimi tek njerëzit dhe zhvillimi i aftësive

Për të adresuar ndasinë e madhe në aftësi, Shqipëria ka nevojë të shndërrojë fuqinë punëtore nga persona me aftësi të ulët në të mesme në persona me aftësi të larta. Kjo kërkon një përmirësim të procesit të formimit. Ndaj, reforma universitare janë të nevojshme dhe përputhje më e lartë e kërkesës së tregut me formimin e punonjësve të ardhshëm.

Rritja e produktivitetit dhe mundësitë më të mira të punës

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në radhët e punonjësve, do të rritej me 40% nëse bizneset shqiptare do të kishin produktivitetin mesatar të firmave në Ballkanin Perëndimor. Për shqiptarët, firmat duhet të jenë më prodhuese, mjedisi i biznesit duhet përmirësuar, inovacioni duhet të forcohet dhe integrimi i Shqipërisë në tregun global, duhet të thellohet.

Ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm rritjeje

Më shumë se 70% e mbetjeve shqiptare janë të keqmenaxhuara, ndërsa kostot e tërmeteve dhe përmbytjeve shkaktojnë dëme, të cilat i kushtojnë shtetit rreth 147 milionë dollarë në vit mesatarisht.

Shqipëria duhet të ndërtojë një model ekonomik, i cili është i ndërgjegjshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe më rezistent ndaj fatkeqësive natyrore.

Forcimi i financave publike

Borxhi publik i Shqipërisë është shumë më i lartë se sa mesatarja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për të siguruar qëndrueshmërinë e financave të shtetit, duhet të ketë drejtësi në deklarimin e taksimit personal, rritje të të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe forcim besueshmërie mbi politikat fiskale, sidomos nëpërmjet angazhimit në rregullat e përcaktuara në politikën fiskale të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore