Kosova

Rritja e prezencës së KFOR-it, Rohde: NATO-ja po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjë


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka mirëpritur deklarimin e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, për mundësinë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë.

“NATO-ja është këtu për të përkrahur stabilitetin në Kosovë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ajo që shoh është se NATO-ja po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjë duke ofruar siguri, sidomos në veri. Qëndrimi i NATO-s është edhe më i fortë, por s’do të thotë se ka ndryshim ligjor. NATO-ja ka mandat të qartë dhe ky mandat s’ka ndryshuar”, tha ai para gazetarëve.

Pas paralajmërimeve se Rusia po synon të nxis konflikt në Ballkan, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se po zhvillohen diskutime mbi mundësinë e një rritjeje të përhershme të kontingjentit ushtarak të aleancës në Kosovë.

“Tani po e rishikojmë nëse duhet të kemi një rritje të përhershme të forcave tona në Kosovë dhe Rajon. Kemi histori në këtë pjesë të Evropës që nga vitet e 90-ta, kemi investuar shumë në stabilitet në këtë pjesë. I kemi parandaluar dy luftëra ndëretnike në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Do të bëjmë atë që është e nevojshme për sigurinë në këtë pjesë të Ballkanit”, tha ai gjatë një konferencë për media të hënën.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se duhet të mbahen përgjegjës autorët për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, derisa ka theksuar se këtë mesazh do ia përcjell edhe autoriteteve serbe gjatë vizitës së tij në Beograd të martën.

“Pres që autorët të mbahen përgjegjës, ky ka qenë mesazhi im që nga maji dhe është përsëritur edhe pas rastit në muajin shtator. Do ta ngris këtë çështje edhe në Serbi. Duhet të sigurohemi që ky rast të mos përsëritet edhe njëherë”, potencoi Stoltenberg.

Stoltenberg, pas vizitës në Sarajevë, Prishtinë, Beograd dhe Shkup, do të marrë pjesë në një takim të përbashkët me aleatët e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç; Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç dhe Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, pritet të marrin pjesë në këtë takim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore