Shqipëria

Rritet me 17% Produkti i Brendshëm Bruto në Shqipëri, Ahmetaj: Më e larta në rajon


Ekonomia shqiptare është rritur me 17.9% gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Raporti i fundit i Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT), ka publikuar raportin e fundit, i cili reflekton shifra shumë optimiste për rimëkëmbjen ekonomike.

Mbi këtë fakt, Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, në një deklaratë për shtyp me ministren e Ekonomisë, Delinda Ibrahimaj, theksoi faktin se kjo është rritja më e lartë në rajon.

Kjo, edhe për sa i përket rritjes nga tremujori i parë në tremujorin e dytë të vitit 2021.

Me 11.7% vetëm gjatë tremujorit të dytë, rritja lë pas edhe atë të Kosovës. Dy ekonomitë janë të vetmet në rajon me rritje dyshifrore.

Sipas Ahmetajt, ky është një sinjal shumë pozitiv për ekonominë shqiptare. Gjithashtu, ai deklaroi se Qeveria do të vijojë të mbështesë sipërmarrjet me një plan veprimi. Kjo gjë do të ndihmojë edhe rimëkëmbjen graduale ekonomike.

Të njëjtën gjë e theksoi edhe Ibrahimaj, e cila shpjegoi se ka optimizëm të lartë për një rritje vjetore prej 4.5% në 2021-shin. Sipas saj, kjo është tërësisht e arritshme bazuar në statistikat e fundit.

Çfarë thotë raporti i INSTAT?

Një rritje prej 17.89% e Produktit të Brendshëm Bruto është vënë re gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sektorët më kontribuues, janë industria nxjerrëse dhe tregtia, transporti, akomodimi e shërbimi ushqimor. Ndërtimi po ashtu ka parë rritje me 3.42 pikë përqindje.

I vetmi sektor, i cili ka kontribuuar negativisht, është ai i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit. Rënia gjithsesi është minimale me 0.19 pikë.

Ndryshime kryesisht rritëse, shihen edhe kundrejt tremujorit të parë të vitit 2021.

Për shembull, ndërtimi ka parë rritjen më të lartë me 9.09%. Industria nxjerrëse është rritur me 6.75 pikë dhe informacioni e komunikacioni me 5.26 pikë.

Ulje kanë parë sektorët e bujqësisë dhe administrata publike.

Ndërsa, në krahasim me 2020-ën, rritja është shumë e dukshme. Industria ndryshoi pozitivisht me 39.85 pikë, ndërtimi me 41.68 dhe argëtimi me 34 pikë. Ulje ka parë vetëm bujqësia.

Zërin më të madh tek shpenzimet e PBB-së e zënë eksportet e mallrave me 130%. Importet janë në 53% ndërsa formimi bruto i kapitalit fiks në 35.72%. Konsumi final i administratës publike dhe i popullatës rreshtohen më ulët me 10.97% dhe 9.83%.

Krahasimisht me tremujorin e parë 2021, rritjen më të madhe e shohin eksportet e mallrave. Formimi bruto i kapitalit fiks ka rritje me 7.3% ndërsa importet me 1.98%. Në shifra negative është konsumi final i popullatës me -0.46%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore