Lajme

Rrëzimi i çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës: Arrestohen dy persona


Catia e rrezuar e objektit te Komunes se Prishtines

Një zyrtar i Komunës së Prishtinës me inicialët Y.J., është ndaluar me urdhër të Prokurorisë Themelore si i dyshuar për rastin e rënies së çatisë të objektit Kadastral të Komunës, ku mbeti e lënduar rëndë një qytetare dhe u shkaktuan dëme të tjera materiale.

Përveç këtij zyrtari, Prokuroria ka urdhëruar edhe ndalimin e një tjetër personi me inicialët B.B., si person përgjegjës nga Kompania punuese e çatisë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore, dërguar mediave, këto dy ndalime po bëhen në “vazhdën e veprimeve hetimore”.

Gjithashtu, njoftohet se Prokuroria e Shtetit ka angazhuar ekspert gjyqësor nga lëmia e ndërtimtarisë për të dhënë ekspertizën në këtë çështje penale.

Në hetime janë përfshirë edhe institucione të tjera të shtetit.

Demolimet e veturave nga rrezimi i catise

Të enjten e kaluar, me 18 janar, çatia e ndërtesës së re të Komunës së Prishtinës është rrëzuar duke i shkaktuar lëndime të rënda një 23-vjeçareje e cila ende është në gjendje kritike e shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Materialet e çatise së rrëzuar gjithashtu kanë demoluar krejtësisht disa automjete që gjendeshin poshtë ndërtesës, në parking.

Nga Komuna e Prishtinës nuk është marrë përgjegjësi politike për këtë rast, derisa fajin për ngjarjen ia kanë lënë erës së fortë.

Ky zhvillim ishte një nga më të komentuarit kohëve të fundit, meqë aksidenti zbuloi se çatia ishte punuar me materiale tejet të dobëta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore