Shqipëria

Rreziku nga flakët ende i lartë në Shëngjin, në terren mbi 20 zjarrfikëse dhe 80 forca operacionale


Si pasojë e flakëve, me gjithë angazhimin e dhjetëra forcave e mjeteve, rreziku ende vazhdon të jetë i lartë në zonën e Shëngjinit.

Për të ndjekur nga afër operacionin për izolimin e zjarrit, ka mbërritur në vendngjarje edhe ministri i Brendshëm në largim Taulant Balla.

“Jemi dislokuar këtu në zonën e Shëngjinit për të shuar vatrën e zjarrit ku kemi angazhuar dhe disa bashki duke filluar nga Tirana, Kamza, Fieri, Berati, Lushnja, Mirdita, Vau Dejës, Shkodra, më shumë se 20 automjete zjarrfikëse dhe më shumë se 80 forca operacinale të MZSH mbështetur nga forcat operacionale të Policisë së Shtetit, 2 automjete të zjarrfikëseve të ushtrisë”, ka bërë me dije Balla.

Po ashtu ai ka thënë se janë përfshirë edhe forca të tjera nga organizata të tjera ligjzbatuese, të cilat “kanë punuar përgjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit për të lokalizuar vatrën e zjarrit në zonën e Shëngjinit”.

“Siç edhe ju e shikoni vatra është akoma aktive, por një pjesë e mirë e vatrës së zjarrit është lokalizuar nga forcat operacionale ku kanë punuar përgjatë gjithë natës e theksoj me një intensitet shumë të lartë gjë e cila mbetet për tu vlerësuar dhe për t’i përshëndetur të gjithë zjarrfikësit dhe forcat operacinale të cilat morën pjesë në këtë operacion”, ka shtuar Balla.

Kurse Drejtori i Përgjithshëm Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara ka bërë me dije se “po mbështetemi dhe nga helikopteri që po na e lehtëson deri diku punën, mendojmë që gjatë ditës do e vendosim nën kontroll dhe do e mbyllim përfundimisht vatrën e zjarrit”.

Balla ndërkaq falënderoi gjithë Forcat Zjarrfikëse, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura,  Forcën Ajrore për përfshirjen në operacion.

“Po bëjnë një punë të shkëlqyer me helikopterin, ju nxis të vazhdoni me këtë intensitet për ta përmbyllur me sukses përballjen me këtë situatë tepër të vështirë, e cila vazhdon. Na duhet të mirë-administrojmë forcat sepse e vërteta është që kemi dhe plot zjarre të tjera në zona të caktuar”, ka thënë ai.

“Kemi sjellë këtu forca nga Berati, nga Fieri natyrshëm Tirana, Kamza apo bashkitë fqinje me bashkinë Lezhë dhe na duhet që ta vendosim tërësisht në kontroll gjatë ditës së sotme për të qenë të përgatitur për situata të tjera dhe më të vështira”.

Shëngjini në flakë, situatë kritike në disa zona, evakuohen banorët

Situata në Shëngjin, ku disa vatra janë përhapur në zonën bregdetare, është kthyer në kritike, ku po ndërhyhet me të gjitha mënyra për vënien nën kontroll të flakëve dhe ku banorët janë evakuuar nga zona.

Sipas një njoftimi zyrtar, vatra e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë, ka dalë plotësisht jashtë kontrollit, megjithëse në terren gjatë gjithë  natës kanë operuar 20 mjete zjarrfikëse me personelin përkatës, kjo e favorizuar nga era e fuqishme.

Mjetet janë 3 bashkia Lezhë, 1 bashkia Mirditë, 2 FA, 3 Kamza, 4 Tirana, 1 Berati, 1 Fieri, 1 Lushnja, 1 Vau Dejës, si dhe Shkodra me 1 Autobot. 2 autobote të bashkisë Lezhë. Me mjetet dhe efektivat zjarrfikës po punohet për mbrojtjen e banesave  dhe hoteleve, deri tani është bërë e mundur që në objekte mos të preken nga zjarri.

Operacioni gjatë gjithë natës është ndjekur nga Prefekti i Qarkut me stafin e tij, nënkryetarët e bashkisë Lezhë, Drejtori i Gatishmërisë, Drejtori Marrëdhënieve me Jashtë, Drejtori Rajonit Verior  në AKMC, Z/Ministri i Mbrojtjes , Drejtori i Përgjithshëm të MZSH në MB,  3 fugon të FNSH,  (1 Shkodra, 2 Tirana), Drejtori Policisë Vendore, Lezhë, si dhe forca të shumta policore. 2 auto ambulanca të spitalit Lezhë, 1 autoambulancë e QVEC.

Me gjithë praninë e gjithë këtyre forcave është e pamundur vënia nën kontroll e zjarrit, dhe si rezultat rrezikohen shumë biznese, por dhe shtëpi banimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore