Lajme

“Rreziku i alergjisë nga kikiriku mund të bjerë nëse konsumohet nga mosha 4 deri në 6 muaj”


Produktet e kikirikut si gjalpi i kikirikut duhet t’u jepen fëmijëve nga mosha katër deri në gjashtë muaj për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të alergjisë ndaj kikirikut, thonë ekspertët.

Studimet sugjerojnë se prevalenca e alergjisë ndaj kikirikut është dyfishuar në një dekadë te fëmijët në vendet perëndimore.

Rreth një në 50 fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar e kanë këtë gjendje, me rreth 13 mijë foshnja që zhvillojnë një alergji ndaj kikirikut çdo vit.

Gjendja mund të jetë kërcënuese për jetën dhe të krijojë një shqetësim të vazhdueshëm për prindërit dhe fëmijët që duhet të shmangin ekspozimin.

Tani studiuesit thonë se prevalenca në Mbretërinë e Bashkuar mund të bjerë me 77 për qind nëse të gjitha foshnjat do të njiheshin me produktet e kikirikut midis moshës katër dhe gjashtë muajsh.

“Do të ndalonit çdo vit 10 mijë foshnja të zhvillojnë alergji nga kikiriku, një numër i madh dhe një mundësi reale për mjekësi parandaluese”, ka thënë profesori Graham Roberts.

Kurse profesori Gideon Lack ka thënë se ndërsa për shumë vite vendet u kanë thënë prindërve të shmangin dhënien e produkteve të kikirikut për foshnjat e vogla dhe t’i prezantojnë ato vetëm gradualisht, të dhënat tani tregojnë rëndësinë e prezantimit të hershëm.

Këshillat e mëparshme mund të kishin kontribuar në shpërthimin e alergjisë ndaj kikirikut së bashku me faktorë të tjerë si rritja e ekzemës te fëmijët dhe ekspozimi më i madh ndaj kikirikëve në mjedisin e tyre përmes rritjes së konsumit nga të tjerët, thonë studiuesit.

Megjithatë, ekipi ka thënë se futja e hershme e produkteve të kikirikut nuk duhet të kufizohet te fëmijët me sëmundje të lëkurës, pasi alergjia ndaj kikirikut mund të zhvillohet edhe te fëmijët pa ekzemë.

Sipas tyre, analizat tregojnë se alergjia ndaj kikirikut zhvillohet kryesisht në vitin e parë të jetës, por pas moshës gjashtë muajsh.

Për më tepër, ndikimi i prezantimit të hershëm në parandalimin e alergjisë së kikirikut zvogëlohet me rritjen e moshës së prezantimit të parë.

Mary Feeney, një dietologe e kërkimeve klinike në King’s College në Londër, ka thënë se këshillat e qeverisë, të cilat thonë se produktet e kikirikut mund t’u prezantohen foshnjave prej rreth gjashtë muajsh, duhet të rishikohen në dritën e studimeve të fundit.

Sipas saj, ushqyerja me gji duhet të vazhdojë së bashku me futjen e ushqimeve të ngurta, por prindërit duhet të synojnë t’u japin foshnjave ekuivalentin e një luge çaji me gjalpë kikiriku tri herë në javë.

Po ashtu ka vënë në dukje se ato mund të grimcohen në një qull për një strukturë të lëmuar dhe nuk duhen dhënë të plota ose të copëtuara për shkak të rrezikut të mbytjes.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore