Aplikacione

Rregullatori italian gjobit Google-in dhe Apple-in për përdorimin e të dhënave


Në Itali, rregullatori antitrust ka gjobitur kompaninë teknologjike Google dhe prodhuesin e iPhone-it, Apple, me 10 milionë euro secili.

Kjo për “praktikat agresive” të lidhura me përdorimin komercial të të dhënave të përdoruesve, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Referuar deklaratës së autoritetit, dy kompanitë nuk kanë dhënë “informacion të qartë dhe të menjëhershëm” se si mbledhin dhe përdorin të dhënat e atyre që aksesojnë shërbimet e tyre.

Nga ana tjetër, Google-i dhe Apple-i, kanë deklaruar se nuk ishin dakord me vendimin e antitrustit dhe kanë njoftuar se do ta apelojnë atë.

Kur përdoruesit krijuan llogarinë e tyre me Google, sistemi ishte projektuar në atë mënyrë që termat dhe kushtet për përdorimin e të dhënave ishin caktuar për t’u pranuar.

Të paktën kështu ka dalluar mbikëqyrësi italian.

Kurse në rastin e Apple-it, përdoruesit nuk kanë zgjedhje për këtë çështje.

“Ne ofrojmë transparencë dhe kontroll udhëheqës në industri për të gjithë përdoruesit, në mënyrë që ata të mund të zgjedhin se çfarë informacioni të ndajnë apo jo dhe si të përdoret ai”, ka theksuar Apple-i në një deklaratë.

Gjithashtu, shkruan “Reuters”, kompania amerikane e ka përshkruar pikëpamjen e rregullatorit si “të gabuar”.

Në një deklaratë, Google-i ka zbuluar se ka ndjekur “praktika të drejta dhe transparente për t’u ofruar përdoruesve shërbime të dobishme, si dhe për të ofruar informacion të qartë mbi përdorimin e tyre”.

Sipas rregullatorit, gjoba përbën shumën maksimale që mbikëqyrësi mund të aplikojë në këto raste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore